Policia e Korçës ka vënë në pranga 39-vjeçarin i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Kotrata”, ku në pranga u vu ish drejtori i postës në Korçë. Bëhet fjalë për Sokol Mullaj, të akuzuar për falsifikim dokumentesh.
NGJARJA
Ish-drejtor i Postës Shqiptare Dega Korçë Valter Gora, 41 vjeç, dhe Alban Bibo, 34 vjeç, banues në Korçë (me detyrë ish-specialist sigurie pranë këtij institucioni) janë arrestuar për shkak se akuzohen për falsifikim dokumentesh. Po ashtu një tjetër punonjës i Postës është shpallur në kërkim, ndërsa 7 të tjerë janë ndëshkuar me masa shtrënguese “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
Këta persona akuzohen se shpërdoruan detyrën, duke falsifikuar kontrata qiramarrjeje për ambiente të cilat do të përdoreshin nga Posta Shqiptare në filialet Korçë, Maliq, Pogradec, vihen në pranga ish-drejtori dhe ish-specialisti i sigurisë pranë Postës Korçë.
Nga hetimet e kryera rezulton se nëntë shtetasit e mësipërm, duke ushtruar detyrat pranë Postës Shqiptare në filialet Korçë, Pogradec dhe Maliq, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë falsifikuar dokumente duke kryer përcaktime subjektive të ofertave në dobi të shtetasve të ndryshëm, kanë firmosur kontrata fiktive me tejkalime afatesh, kanë nënshkruar kontrata abuzive për dhënie ambientesh me qira në funksion të këtij institucioni, prej të cilave ish-drejtori V. G., ka përfituar shuma të konsiderueshme, në mënyrë direkte ose indirekte.
NJOFTIMI I POLICISE
Vijon operacioni i koduar “Kontrata”, i finalizuar 3 muaj më parë, për goditjen e veprimtarisë kriminale ne fushën e falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës.
Vihet në pranga 39-vjeçari, i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, bënë ndalimin e shtetasit në kërkim S. M., 39 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me vendimin e datës 06.07.2021, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, në lidhje me ngjarjen e datës 14.07.2021, ku u finalizua operacioni “Kontrata”, si rezultat i të cilit u ndalua ish-drejtori dhe një punonjës i Postës Korçë dhe u morën masa shtrënguese ndaj disa punonjësve të tjerë.
Veprimet e mëtejshme u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, të cilët referuan materialet pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.
