Një 24-vjeçare u plagos ditën e djeshme në një pallat në lagjen “Don Bosko” të Tiranës, pasi ashensori u shkëput nga kati i parë në bodrum. Për këtë policia ka arrestuar teknikun e ashensorit, i cili kontrollin e fundit e kishte bërë para dy muajsh dhe nuk kishte lënë certifikatë sigurie.
NJOFTIMI
Në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në rrugën “Don Bosko”, ku u rrëzua ashensori dhe për pasojë u lëndua një shtetase, policia ka arrestuar teknikun e ashensorit, shtetasin:
A. M., 49 vjeç, banues në Tiranë (teknik ashensori)
Ky shtetas ka kryer kontroll teknik të ashensorit para dy muajsh duke deklaruar se ashensori nuk ka probleme dhe nuk ka lëshuar certifikatë përkatëse sigurie.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprën penale “Shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”, parashikuar nga neni 289 i Kodit Penal.
