Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar pas protestës së kontrollorëve ajrorë në Rinas, ndërsa hodhi poshtë pretendimet e tyre se janë të pazëvendësueshëm.
I ftuar në emisionin “Java” në RTSH, Lleshaj tha se avionët nuk përplasen ngaqë s’janë kontrollorët për një moment në detyrë, pasi avionët janë autonomë mjaftueshmërisht.
“Dëgjoja ata protagonistët e ngjarjes që, me një lloj nënqeshje cinike thonin nuk ka kush na zëvendëson ne. Jo mo, ka kush ju zëvendëson fare mirë. Avionët i drejtojnë pilotët dhe avionët janë autonomë mjaftueshmërisht që të mos bien pre e kësaj. Ky është profesioni im i parë. Po t’ia rrisja rëndësinë do rrisja rëndësinë e profesionit tim”, deklaroi Lleshaj.
Po ashtu, ish-ministri i Brendshëm tha se momenti për të zhvilluar këtë protestë ishte më i keqi i mundshëm, ndërsa shtoi se Shqipëria ka ndërtuar një sistem absurd pagash, pasi paguajmë në varësi të dëmit që një person mund të bëjë.
“Momenti i zgjedhur është më i keqi i mundshëm dhe është një inteligjencë shumë e vonuar kur pas një viti reagojnë. Kur kanë duruar një vit mund të duronin edhe një muaj. Për këtë kategori kemi paga ekstravagante. Ne kemi ndërtuar një sistem pagash absurd dhe i paguajmë ata në varësi të rëndësisë që ata kanë për të na bërë dëm”, tha Lleshaj.
