Gjatë mbrëmjes janë shënuar në Korçë të paktën tre lëkundje, ku më e fuqishmja ishte në orën 23:02. Kjo lëkundje ishte e shkallës 3.4 ballë dhe epiqendra ishte në fshatin Nikolicë të Korçës.
Vetëm 16 minuta më pas, një tjetër lëkundje u ndje 17 km në Jug të Korçës. Ndërkohë edhe gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm sipas IGJEUM, rreth orës 03:41 Nikolica u lëkund sërish.
Korça këtë vit ka qenë një nga qytetet më problematik për sa i përket aktivitetit sizmik. Vetëm 6 ditë më parë një tërmet i fortë goditi zonën duke shkaktuar edhe dëme. Banorët u shprehën se tërmeti i rënë më 1 nëntor thelloi akoma më shumë bilancin e tërmetit që ra në fillim të verës që lamë pas.