“Në 38 vite si mjek nuk mbaj mend një situatë si kjo”, kështu u shpreh mjeku Pëllumb Pipero në emisionin “Opinion” duke ju referuar situatës së krijuar nga koronavirus. Duke kujtuar epidemi të ndryshme që kanë kaluar mjekët në Shqipëri, Pipero tha se një rast si ky nuk ishte përjetuar asnjëherë.
Ndërsa u është përgjigjur pytetjeve të ardhura nga qytetarët, Pipero sugjeroi që në këtë periudhë të përdoret sa më pak kondicioneri.
“Do të këshilloja në këtë situatë ta përdorim sa më pak kondicionerin. Nëse tështimë dhe keni kondicionerin është e mundur që ta kthej në aerosol”, tha Pipero.
Ai tha se në javën e parë të prillit do të merren përgjigjet e para se sa të efektshme kanë rezultuar masat e ndërmarra nga qeveria dhe sa janë zbatuar ato nga qytetarët. Sa i përket lajmit të mediave italiane se koronavirusi mund të jetë shfaqur në fillim të janarit në Lombardi, Pipero e lidhi këtë me agresivitetin e virusit AH1N1 (gripi i derrit) në këtë sezon.
“Është shumë e vështirë të japim mendime të sakta. Kemi patur qarkullimin i gripit stinor, AH1N1 ka qenë më agresiv këtë vit, nëse studimi është bërë nga shkencëtarë të epidemologjisë nuk kam çfarë të komentoj. Të dhëna të sakta për vendin tonë nuk kemi. Unë e lidh me AH1N1”, tha Pipero.