Shkarkohet nga detyra kryetari i Gjykatës së Apelit të Gjirokastrës, Dritan Banushi. Vendimi u mor këtë të mërkurë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit
Banushi ishte konfirmua më parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 28 janar të vitit 2020, por vendimi u kundërshtua nga Komisioneri Publik me arsyetimin se KPK nuk kishte vlerësuar drejt pasurinë e subjektit. Ata vërejtën se analiza financiare kishte gabime matematikore dhe se zërat e shpenzimeve ishin bazuar në të dhëna jo zyrtare.
Vlerësimi i ankimit ndaj Banushit u shqyrtua nga trupi gjykues i Kolegjit i kryesuar nga Natasha Mulaj, me relatore Albana Shtylla dhe anëtarë Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo.
Kryesuesja Mulaj sqaroi gjatë shpalljes së vendimit se pas vlerësimit të gjithë shkaqeve të ankimit për pasurinë, si dhe akteve të depozituara është konkluduar se gjyqtari Banushi është gjetur në pamundësi për krijimin e disa pasurive.
Sipas Mulajt, subjekti gjendet në pamundësi për blerjen e një automjeti tip Audi në vitin 2007, si dhe për riparimin e tij.
Po ashtu, ka rezultuar në pamundësi për krijimin e një depozite 3 milionë lekë në emër të tij dhe të bashkëshortes në vitin 2014. Kolegji konkludon se ka rezultuar pamjaftueshmëri financiare dhe për krijimin e dy depozitave në emër të subjektit, njëra në shumën 2 milionë lekë dhe tjetra 700 mijë lekë. KPA konstaton balancë negative për krijimin e depozitave në emër të vajzës në shumat rreth 100 mijë lekë dhe 3500 euro. Banushi është gjetur në pamundësi dhe për krijimin e gjendjes cash.