Së fundmi, “Skynews” raporton se Kremlini është shprehur hapur se nëse do të vendosen përballë një kërcënimi ekzistencial, nuk do të përjashtojnë asnjë mundësi për përdorimin e armëve bërthamore.
Duke qenë se ka dështuar të marrë Kievin apo të tjera qytete të mëdha, Rusia po zhvillon një luftë shkatërrimi në Ukrainë. Një sërë zonash urbane janë shndërrruar në gërmadha dhe kjo ka rritur frikën në Perëndim se konflikti mund të përshkallëzohet, madje edhe në një luftë bërthamore.
Kështu, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka folur rreth kësaj çështjeje ku tha se sipas politikës së sigurisë ruse, ata mund ti përdornin armët në rast se do të kërcënohej ekzistenca e vendit.
“Nëse bëhet fjalë për një kërcënim ekzistencial për vendin tonë, atëherë ne do të përdorim arsenalin bërthamor në përputhje me konceptin tonë”, theksoi Peskov për “CNN”.
Kur u pyet se nëse kërcënimet e fshehta të Putinit për të përdorur armë bërthamore kishin për qëllim thjesht për t’i dërguar një mesazh botës, ai deklaroi: “Presidenti Putin synon ta bëjë botën të dëgjojë dhe të kuptojë shqetësimet tona.
“Ne jemi përpjekur t’i përcjellim shqetësimet tona në botë, në Europë, në Shtetet e Bashkuara për disa dekada, por askush nuk na ka dëgjuar,” tha në fund ai.
