Vetëm në 40 ditët e para të vitit krimi në familje ka goditur dhunshëm. 36-vjeçarja mëngjesin e sotëm që u vra nga burri i saj gardist, është viktima e gjashtë.
Në ditën e dytë të vitit të ri në Ballsh, Gazmend Musta, 34 vjeç vrau gruan dhe kunatën pas debatit në familje, ku e ndjera kërkonte të vizitonte prindërit. Në gjendje të dehur ai qëlloi me thikë të dyja vajzat, ngjarje që ndodhi në sy të fëmijëve të mitur.
Një tjetër ngjarje më 14 janar tronditi Tiranën, ku dhëndri vrau vjehrrin dhe vjehrrës e më pas i dha fund jetës pas sherrit në familje. Pak ditë më parë, më 6 shkurt pas një sherri në familje burri mbyti gruan e më pas tentoi të vriste veten. Viktima e sotme në Allias është e gjashta e dhunës në familje.