Kriza demografike në Shqipëri, po vjen me efekte shumëdimensionale negative sidomos në treguesit e fertilitetit dhe të lindshmërisë.
Të dhënat e Cens 2023, tregojnë se në vend banojnë rreth 510 mijë femra në moshë riprodhimi (15-49 vjeç), por 42.6 për qind e tyre nuk kishin fëmijë.
Të ndara sipas grup-moshave, shihet se femrat që nuk po lindin deri në moshën 30-vjeç, janë më të shuma në numër se ato që lindin.
Të dhëna të detajuara nga cens 2023, tregojnë se 10.5 mijë femra të grup-moshës 20-24-vjeç kanë lindur, përkundrejt 63.3 mijë që nuk kanë lindur. Në këtë grup -moshe 85 % e femrave nuk kanë lindur ende foshnjat e tyre.
Më tej, në grup-moshën 25-29-vjeç sërish dominojnë femrat pa fëmijë, pasi 53 % e tyre nuk kanë lindur ende sipas cens.
Në këtë grup-moshë numërohen 73,826 femra gjithsej, ku 37,679 nuk kanë lindur dhe 22,459 kanë lindur bebet e tyre.
Pas moshës 34-vjeç nisin e dominojnë femrat që kanë kryer lindje. Por ende në grup-moshë 30-34-vjeç 25 % e femrave nuk lindur ndërsa 75 për qind kanë lindur.
Në grup-moshën 35-39-vjeç, ende 15 % e femrave nuk lindur asnjëherë dhe 73 % kanë lindur. Në grup-moshën 40-44-vjeç 12,4 për qind e femrave, nuk ka lindur dhe në grup-moshën 45-49-vjeç 11 për qind e femrave nuk kanë lindur.
Emigracioni i lartë i meshkujve dhe zhvillimi i personal i femrave po ndikon në normat e fertilitetit. Në dekadat e fundit, meshkujt synojnë të rrisin kapitalin e tyre duke emigruar dhe gratë synojnë të arsimohen.
Kjo qasje ka thelluar hendekun në arritjet arsimore mes femrave dhe meshkujve duke bërë që shumë gra të zgjedhin karrierën.
Shtesa natyrore e vendit tonë, është tërësisht e varur nga numri i grave në moshë riprodhimi, por ato po pësojnë rënie të shpejtë dhe për tepër një pjese e konsiderueshme e tyre nuk preferojnë të lindin.
Të dhënat e Cens 2023, tregojnë se vitin 2023 në të gjithë vendin ishin vetë 508 mijë gra në moshën e riprodhimit (15-49-vjeç) nga mbi 710 mijë që u ishin ne censin 2011.
Numri i tyre ndërmjet dy censeve ka rënë me mbi 28%, ose me shumë se dyfishi i popullsisë e përgjithshme (14%).
Në grup-moshat e reja, me potencialin më të madh për të lindur fëmijë, rënia ishte mbi 40 për qind.
Tkurrjen më të madhe e kanë femrat në 15-19-vjeç, të cilat janë pakësuar më shumë në numër se në vitin 2011.
Në vitin 2023, kishte vetëm 72 mijë femra nga 15-19-vjeç me rënie 45% nga censi 2011, ku ishin mbi 132 mijë femra të kësaj grup-moshe.
Rënia e grave në moshën riprodhuese, do të ndikojë në normën e ulët të lindshmërisë në vitet në vijim dhe në reduktimin pa kthim të popullsisë.
Femrat në grup-moshën 25-29-vjeç janë ulur me 21%. Rënien më të ulët vetëm -6% e kishin femrat në grup-moshën 30-34-vjeç, teksa reduktimi mbi 30 % është i pranishëm edhe në grup-moshat 40-44 dhe 44-49-vjeç.
Më 2023, në të gjithë vendin, kanë lindur vetëm 22,210 foshnja, niveli më i ulët që nga viti 1934 kur janë raportuar të dhënat zyrtare vjetore, por ndërkohë numri i grave në moshë riprodhimi është mbi 500 mijë./Monitor