Kryebashkiaku Agron Malaj siguron qytetarët se ujësjellësi i qytetit të Burrelit që është një nga investimet më të rëndësishme të kryera ndër vite, do të përfundojë brenda afateve dhe me cilësi.
Përmes një reagimi në rrjete sociale, Malaj nënvizon se puna ka ecur sipas parashikimit të projektit fillestar dhe se nuk janë marrë fonde shtesë nga qeveria për këtë projekt.
“Marr shkak nga shpifjet e bëra sot nga Çlirim Gjata, i sdi cilës Parti Demokratike, për të sqaruar matjanët se:
– Ujësjellësi i Burrelit ka nis punën në Prill të vitit 2021 dhe parashikohet të përfundojë punimet në Maj të këtij viti. Puna ka ecur sipas parashikimit të projektit fillestar.
– Nuk është aspak e vërtetë që janë marrë fonde shtesë nga qeveria për këtë projekt.
– Të gjitha rrugët që janë prekur nga ndërtimi i tij janë asfaltuar dhe sistemuar tërësisht, jo vetëm kanalet,
– Matësat janë inteligjentë dhe të cilësisë më të lartë çka nuk lë vend për asnjë lloj abuzimi,
– Depo është një projekt i veçantë, e cila gjithashtu po ecën sipas parashikimeve të projektit,
– Fotot dhe videot që qëllimisht përdoren për të baltosur projektin, nuk janë as më pak as më shumë sesa testime që po bëhen për të kuptuar linjat dhe për tu siguruar që uji shkon në cdo banesë”, thekson kryebashkiaku Malaj.
Kryetari i Bashkisë së Matit fton përfaqësuesit e opozitës që të vizitojnë nga afër punimet e kësaj vepre gjigande për këtë bashki dhe të kuptojnë që nuk mund të flitet nga kolltuku.
“Përfitoj nga rasti ti ftoj të gjithë baltosësit që të vinë dhe të vizitojnë nga afër punimet e kësaj vepre gjigande për Matin dhe me këtë rast të kuptojnë që nuk mund të flitet nga kolltuku.
Ujësjellësi i qytetit të Burrelit është një nga investimet më të rëndësishme të kryera ndër vite në Bashkinë e Matit. Në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë jam shumë i lumtur që po mbyll këtë projekt madhor për qytetarët e mi dhe jam tejet falenderues ndaj qeverisë shqiptare për mbështetjen që na ka dhënë për këtë vepër”, thekson Malaj.
