Kryetari i Bashkisë së Matit Agron Malaj kërkon ndryshime ligjore për sponsorizimin e sportit. Gjatë takimit të organizuar nga FSHF me drejtuesit e klubeve për të diskutuar mbi sfidat e futbollit, Malaj theksoi se është koha që ligji të pësojë ndryshime. Ai nënvizoi se Bashkitë e vogla e kanë të pamundur që të mbajnë klubet e futbollit të cilat kanë borxhe të akumuluara ndër vite. Malaj deklaroi se fondet e taksapaguesve shqiptarë duhet të shkojnë për përmirësimin e infrastrukturës në shërbim të komunitetit. “ Në fakt mendoj se pjesa e ligjit është e vonuar sepse edhe ne që e sponsorizojmë nga bashkitë , taksat të popullit janë, nuk janë as private as individuale. Ato janë taksa të atyre që kontribuojnë që duan një futboll më të mirë. Kam tre vite që merrem me futbollin. Ka goxha kompani që besojnë te futbolli dhe e duan futbollin, por na duhet akoma më shumë punë sepse ka 3-4 vjet që flasim për ligjin dhe ligji ka ngelur aty në vendnumëro. Dhe s’po i japim drejtim kësaj pune. Kështu që jo të ngelet në tavolinë, por të shkojë aty ku duhet. Dhe ta dëgjojnë që edhe bashki të vogla siç është Puka, Burreli apo Lushnja me radhë, që nuk duhet këto fonde ti çojmë për futbollin, por t’i çojmë për komunitetin, aty ku me të vërtetë ka nevojë”, nënvizoi Malaj.
Kreu i Bashkisë së Matit kërkoi nga Federata Shqiptare e Futbollit një mbështetje më të madhe për masivizimin e sportit. “ Janë moshat, rinia që kanë nevojë që të rriten me këtë sport na duhet dhe një mbështetje nga federata. Nuk kemi mundësi që t’i përballojmë të gjitha vetë, na duhet një mbështetje sepse janë borxhe të prapambetura nder vite që na kërkohet një taksë , janë borxhe që prej investimeve të prapambetura ndër vite ku na kërkohet ende përqindje që ne të paguajmë si bashki, por kjo i bie të japësh nga njëra anë dhe të ngelesh nga ana tjetër. Unë e mbështes mendimin sepse me të vërtetë sporti ka nevojë të ecë përpara, rinia ka nevojë që të motivohet t’i nxjerrim nga rruga e së keqes dhe ti fusim në rrugën e sportit Mendoj se dhe bashkitë duhet të ikin nga pjesa e sponsorizimeve, nuk kanë fuqi bashkitë që ta bëjnë këtë punë. Shpresojmë që kjo nismë të shkojë aty ku duhet që të japë një zhvillim akoma më të madh sportklubeve”, deklaroi kryebashiaku Malaj.
