Këtë të premte, Shqipëria ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi me Spanjën në kuadër të bashkëpunimit në procesin e integrimit evropian. Ministrja e Europës dhe Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka priti në takim homologun spanjoll Jose Manuel Albares Bueno, me të cilin ka biseduar rreth integrimit në BE, për bashkëpunimin dypalësh si dhe për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Xhaçka tha se deri në fund të 2023, Shqipëria parashikon të përfundojë procesin e screening për të gjithë grup-kapitujt e negocimit, ndaj e cilësoi të nevojshme mbështetjen e Spanjës në lehtësimin e diskutimeve në Këshill, për një vendim pozitiv për hapjen e grupit të kapitujve themelorë. Përmes memorandumit të nënshkruar mes 2 vendeve, Spanja do ofrojë shërbime konsulence dhe asistencë teknike për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Europian.
“Ajo që e bën këtë vizitë domethënëse është momenti në të cilën ndodhemi se i paraprin marrjes së presidencës së Këshillit Europian nga Spanja në gjysmën e dytë të vitit. Është provë e përkushtimit të Spanjës ndaj rajonit tonë dhe mbështetjes për integrimin europian. Ministri na prezantoi linjat kryesore, ndajmë mendimin se zgjerimi nuk është thjesht instrument por vetë esenca e unionit.
Deri në fund të këtij viti, Shqipëria parashikon të mbarojë procesin e screening. I kërkova që Spanja të na mbështesë dhe të lehtësojë diskutimet për hapjen e grupit themelor. Kemi rënë dakord edhe për nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit për koordinimin sa më të mirë të punës të integrimit europian. Spanja do na ofrojë shërbime konsulence dhe asistencë teknike dhe do stimulojë tranzicionin e gjelbërt. Për qëllime të zbatimit të këtij memorandum, do përdoren dhe programe binjakëzimi dhe investime të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Është thelbësore që BE dhe Ballkani Perëndimor të jenë në harmoni të plotë dhe qasja strategjike e Spanjës ndaj rajonit tonë është e mirëpritur. Diskutuam edhe për Kosovën që merr rëndësi të veçantë. Shqipëria është mirënjohëse për angazhimin e BE dhe SHBA për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Xhaçka.