Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç ka bërë të ditur se gjendja e të lënduarve nga aksidenti tragjik në Kroaci është e qëndrueshme ndërsa ata tashmë janë jashtë rrezikut për jetën.
Plenkoviç tha pas vizitës në spital së bashku me homologun Albin Kurti, se një nga të lënduarit është dërguar në spitalin e Zagrebit për shkak të dëmtimit më serioz në shtyllën kurrizore.
“Vetëm një nga të lënduarit është aktualisht në Zagreb, të gjithë të tjerët janë vendosur këtu në spitalin në Sllavonski Brod ose në një shtëpi me konvikt, ata që nuk janë të lënduar”, tha Plenkoviç.
Më tej ai shtoi se do të ndihmojnë në kostot e shpenzimit dhe gjithçka tjetër.
“Nga kostot e qëndrimit këtu, deri tek organizimi i udhëtimit në Kosovë për të gjithë pacientët, sepse duke pasur parasysh situatën, jo të gjithë pacientët do të jenë në gjendje të largohen nga Sllavonski Brod në të njëjtën kohë. Ne do të ndihmojmë gjithçka”, tha kryeministri kroat.