Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu do të jetë sërish emri i propozuar për kryeparlamentare të Kosovës në seancën e të hënës. Këtë të shtunë dështoi dy herë të merrte 61 votat votat për këtë pozitë.
Para mediave ajo deklaroi se opozita po e mban të bllokuar Kuvendin, pasi s’e mbështetën propozimin e Vetëvendosjes. Në dy votimet, Haxhiu mori vetëm 57 vota nga 61 që duhen për zgjedhjen e Kryeparlamentarit.
”Së pari më lejoni të falënderoj 57 deputetë që më mbështetën që të jem kryetare e Kuvendit, duhen edhe 4 vota. Pra, nga të gjithë deputetët, 61 duhet të jenë për. Siç e kuptuat, seanca u pezullua, brenda 48 orëve u thirr seanca e radhës. Kuvendi nuk konstituohet pa u zgjedhë kryetari dhe nënkryetarët.
Ne ishim gati të vazhdojmë me procedurat e mëtejme, mirëpo duket që opozita po e mban të bllokuar Kuvendin sepse nuk e mbështeten propozimin e VV-së. I përket VV-së ta bëjnë propozimin e radhës, do të jetë emri i njëjtë”, tha ajo.