Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, zhvilloi sot një vizitë në Qendrën e Solidaritetit Fundjavë Ndryshe.
Në mjediset e Qendrës, Kryetarja Nikolla u prit nga Drejtuesi i Fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari, i cili e njohu Kryetaren e Kuvendit me veprimtaritë e Fondacionit. “Fundjavë Ndryshe” është organizata më e madhe jofitimprurese në Shqipëri dhe ka dhënë ndihmesë të rëndësishme për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit 2019. Deri tani ka ndërtuar 48 shtëpi të reja për qytetarët që humbën banesat në Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Puna vazhdon për të ndërtuar shtëpi të tjera për banorët e dëmtuar nga tërmeti. Qendra e Solidaritetit “Fundjavë Ndryshe” është qendra më e madhe e këtij lloji në Ballkan, organizon aktivitete sociale e kulturore, ofron formim profesional falas për vajza e djem në nevojë, etj.
““Fundjava Ndryshe” ofron një model të ri vullnetarizmi që buron nga energjitë rinore dhe shpërndahet në të gjithë shoqërinë. Vullnetarizmi juaj është përtej një bamirësie të thjesht, por ka krijuar sinergji me politikat sociale, arsimore, ekonomike dhe kulturore të vendit. Ju kontribuoni në formimin profesional dhe kulturor, si edhe në zhvillimin e talentit të vajzave dhe djemve të Shqipërisë, sidomos për ato dhe ata që kanë më shumë nevojë. Përpjekjet tuaja për të shpëtuar jetë, ndërtuar shtëpi dhe ofruar strehë për banorët e dëmtuar nga tërmeti kanë gjallëruar dhe kanë venë në lëvizje shpirtin, humanizmin dhe bamirës të të gjithë shqiptarëve, në Shqipëri dhe Diasporë. Vetëm në gjashtë vjet, ju keni ndërtuar një model jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e tjera. Partnerët tuaj, institucione apo sipërmarrje private, janë nga shumë vende. Kuvendi dhe deputetët do të bëhen shumë shpejt partnerë në programet dhe veprimtaritë e “Fundjava Ndryshe”. Fondacioni “Fundjava Ndryshe” dhe kjo Qendër bën krenar të gjithë shqiptarët.”, u shpreh Nikolla.
Postime te ngjashme
Add A Comment
