Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vlerësoi raportin mbi veprimtaritë me karakter publik të disa institucioneve për periudhën 13-19 prill 2025.
Gjatë kësaj periudhe në ndërfaqen e raportimeve janë ndaluar automatikisht 5 veprimtari të raportuara nga 4 institucione, për shkak të tejkalimit të afatit ligjor.
KSHZ vendosi mosfillimin e shqyrtimit administrativ për këto veprimtari, pasi janë raportuar sërish nga institucionet përkatëse në përputhje me afatin e parashikuar nga ligji.
Në seancën e sotme publike u vlerësuan raportet e monitorimit të fushatës zgjedhore për periudhën e monitorimit 14 prill – 20 prill 2025.
Gjatë kësaj periudhe janë dorëzuar 23 raporte shkeljesh nga monitoruesit nga të cilat:
11 raporte për bashkitë Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, Korçë, të cilat përmbajnë të njëjtën problematikë, mos zbatimin e nenit 79, pika 3 e Kodit Zgjedhor: mungesën e shënimit “Prodhuar nën përgjegjësinë ligjore të … (vijon me emrin e subjektit zgjedhor)” në materialet propagandistike;
12 raporte për bashkitë Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Krujë, Sukth, Pukë, Gjirokastër, Përmet Korçë dhe Sarandë, të cilat përmbajnë të njëjtën problematikë, moszbatimin e nenit 5, pika 1, të udhëzimit nr. 6, datë 23.3.2021 të KSHZ dhe hapjen e zyrave zgjedhore në një distancë më të vogël se 300 metra nga vendndodhja e QV-va, VNV-ve dhe KZAZ-ve;
Komisioneri vendosi t’u lërë afat 24 orë subjekteve zgjedhore për vendosjen e shënimit “Prodhuar nën përgjegjësinë ligjore të … (vijon me emrin e subjektit zgjedhor)” tek materialet propagandistike. Nëse ky detyrim nuk zbatohet brenda këtij afati, do të urdhërohet Policia Bashkiake për heqjen e materialeve propagandistike.
Gjithashtu, iu la afat 24 orë për heqjen e materialeve propagandistike nga zyrat zgjedhore afër QV-ve, VNV-ve dhe KZAZ-ve, nëse ky detyrim nuk zbatohet, do të urdhërohet Policia Bashkiake për heqjen e menjëhershme të tyre.
Struktura e Posaçme për Monitorimin e Mediave Sociale për periudhën 11 prill deri në 20 prill 2025 ka monitoruar 50 (pesëdhjetë) faqe të institucioneve zyrtare në media sociale, ku janë evidentuar 3 postime në shkelje të akteve të KQZ-së në fuqi, të cilat janë dërguar për fillim të hetimit administrativ.
Në seancën e sotme u shqyrtua raporti javor i Autoritetit të Medias Audiovizive për monitorimin e fushatës zgjedhore nga OSHMA-të për periudhën 11 -16 prill 2025.
Në përfundim të shqyrtimit, Komisioneri vendosi ndërprerjen e menjëhershme të transmetimit të reklamave politike jashtë intervaleve kohore të përcaktuara, nga OSHMA-të Syri TV dhe 6+1 TV dhe tërheqjen e vëmendjes për OSHMA-në Euronews Albania, që në publikimin e sondazheve në ditët në vijim të vendosë qartë porositësin dhe probabilitetin e gabimit.
Ndërkohë, të gjitha OSHMA-të duhet të bëjnë menjëherë kompensim në kohë transmetimi, në edicionet informative për efekt balancimi të kohës për subjektet zgjedhore.
U dha autorizimin për ndërrimin e vendndodhjes së disa qendrave të votimit në ambient privat, në bashkitë Belsh, Sarandë, Vlorë, Peqin dhe Tiranë, për zgjedhjet për Kuvend të datës 11 maj 2025.