Drejtori i Transportit në bashkinë e Tiranës, Enton Punavija tha sot se këto ditë pas kufizimit të qarkullimit të mjeteve të rënda dhe betoniereve gjatë ditës vihet re një lehtësim i situatës së trafikut në Tiranë.
Në një intervistë televizive Punavija tha se “për zbatimin e këtij vendimi kemi një bashkëpunim shumë të rëndësishëm me Policinë e Qarkullimit Rrugor dhe me strukturat e Policisë Bashkiake”.
“Ky është hapi i parë, hapi i dytë është mënyra sesi menaxhohet parkimi dhe parkimi i gabuar është një tjetër gjë e rëndësishme që do fokusohemi më tej”, tha Punavija.
Duke folur për marrjen e vendimit, Punavija tha se “duke parë se çfarë po ndodhte që me fillimin e shkollës deri në fund të vitit 2021 situata e trafikut u ngarkua jashtëzakonisht shumë. Kështu që ne vendosëm që nga data 1 janar riaktivizimin e urdhrit për mos dhënien më të autorizimeve për lehtësimin e lëvizjes të gjithë subjekteve, të cilat do të furnizojnë gjatë orëve të ditës apo do të punojnë në fasha orari të caktuara duke vendosur rregullin që mjetet deri në 2.5 tonë mund të qarkullojnë pas orës 21:00. Mjetet e tjera të rënda nuk mund të qarkullojnë më deri në 20:00, si aktivitetet e furnizimeve, ashtu edhe aktivitetet në funksion të ndërtimit”.
Punavija u shpreh se “ishte një ngarkesë shumë e madhe jo vetëm në orët e pikut, por me mënyrën sesi sistemi arsimor po funksiononte kishte një shpërndarje për gjatë gjithë ditës, nuk ishte më vetëm ora e mëngjesit dhe drekës”.
Sipas tij, volumi i mjeteve që kryejnë furnizimi ose aktivitete në funksion të ndërtimit nuk është thjesht prania në rrugë, por edhe mënyra sesi parkojnë.
“Ishin një tërësi elementësh që bënin një situatë shumë të rënduar të trafikut. Volumi i trafikut nga një anë dhe mënyra sesi menaxhohet ishin evidente që këto masa do të kishin efektin e tyre”, tha Punavija.