Ndryshimi i orës është ende në diskutim nga autoritetet ndërkombëtare, e megjithatë për sa kohë nuk është marrë një vendim, ndryshimi do të vijojë.
Këtë fundjavë, mes datës 30 dhe 31 mars akrepat e orës do të kalojnë 60 minuta para dhe në orën 02.00 të natës do të shënohet ora 03.00.
Historiku
Për herë të parë ndryshimi i orës është bërë në 1916, duke i dhënë mundësi në këtë mënyrë energjisë të kursejë çdo vit miliona para.
Ndryshimi i orës është shoqëruar me debate për dekada dhe ka vende që nuk e zbatojnë këtë. Rusia e ka braktisur që prej 2014, ndërsa Europa vijon debatin. Shkak për këtë debat është përballja mes Frontit të Veriut të udhëhequr nga Finlanda dhe e mbëshetur nga Austria dhe Gjermania dhe pjesa e Jugut.
Vendet e veriut, në muajt e verës të mbushura me diell deri në orët e vona, kanë kërkuar heqjen nëpërmjet sondazheve publike, duke e çuar vitin e kaluar këtë temë në dyert e Parlamentit Europian.
Mocioni nuk kaloi në Strasburg dhe ministrat europian vendosën ta shtyjnë këtë çështje në 2021, kur në tryezat e Komisionit Europian do të jenë aktorë të tjerë, pas zgjedhjeve të reja.
Ndër vite ndryshimi i ores, për shumë studiues amerikan dhe europian, konsiderohet e dëmshme për shëndetin për ritmin e gjumit, në mënyrë të veçantë për njerëzit më të brishtë, fëmijët dhe të moshuarit.
