Policia e Fierit ka goditur dy raste të kultivimit të kanabisit duke vënë në pranga 4 persona.
Sipas policisë në një zonë të pyllëzyar të fshatit Rromës të Mallakastrës janë gjetur të kultivuara disa bimë narkotike ku janë arrestuar tre të rinj. Ndërkohë që një rast është konstatuar në fshatin Vloshë të Roskovecit ku u vu në pranga një 60-vjeçar si poseduesi i tyre.
NJOFTIMI I PLOTE
Fier – Mallakastër
Evidentohen dhe goditen 2 raste të tjera të kultivimit të bimëve narkotike.
Bien në prangat e Policisë 4 shtetas, sekuestrohen disa bimë canabis.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, si rezultat i kontrollit masiv të territorit, shërbimet e Policisë kanë goditur dy raste të tentativës për kultivim të kanabisit, konkretisht në fshatin Rromës, Mallakastër dhe në fshatin Vloshë, Roskovec.
Në Mallakastër, në një zonë të pyllëzuar të fshatit Rromës, u gjetën të kultivuara disa bimë narkotike. Si rezultat i veprimeve operacionale dhe hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër u bë ndalimi i autorëve të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale, shtetasve: S. L., 29 vjeç, B. L., 30 vjeç dhe A. L., 38 vjeç, të tre banues në fshatin Rromës.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të territorit, në fshatin Vloshë, Roskovec, u gjetën të kultivuara disa bimë narkotike canabis sativa në tokën e shtetasit B. H., 60 vjeç. Në përfundim të veprimeve hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit B. H., për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme procedurale.
