Mjeku i spitalit Infektiv Pëllumb Pipero në një intervistë për A2CNN u shpreh se pacientët shkojnë vonë në spital dhe ky është një nga shkaqet e fataliteteve në rritje.
“Vijnë vonë relativisht, vijnë me komplikacione pas 7-8 ditësh. Ka një lloj skepticizmi të qytetarëve për të ardhur në spital, ndërkohë që spitali nuk është zgjedhje, për shumë prej tyre është zgjidhje. Madje do të thoja zgjidhja më e mirë e mundshme dhe e detyruar. Koha e ekspozimit të qytetarëve ndaj virusit ka qenë dhe ngelet më e madhe dhe format janë më të rënda”, tha Pipero.
Për sa ai përket numrit të infektimeve, Pipero u shpreh se deri në gjysmën e parë të marsit pritet të jenë të njëjtat shifra të larta, ndërkohë që në gjysmën e dytë të marsit do të vihet re edhe një ulje e numrit të infektimeve, si pasojë edhe e temperaturave të larta.
“Unë besoj se deri nga gjysma e marsit, numri i rasteve do të jetë në këto nivele, ndoshta edhe më e lartë them unë. Nga gjysma e dytë e marsit do të fillojë një rënie graduale e numrit të rasteve sepse edhe temperaturat kanë filluar të ngrihen, mjediset do të jenë më të ajrusura në lokale, dritaret të hapura. Përpara se të shkojmë te shtrengimi i masave, duhet të respektojmë masat aktuale”, u shpreh mjeku.
