Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç do të zhvillojë sot takimin e nivelit të lartë në Bruksel, nën ndërmjetësimin e të dërguarit evropian për dialogun, Miroslav Lajçak. Borrell sipas informacioneve të para, pritet të takohet me kryeministrin Albin Kurti në orën 15:00. Ndërsa, në orën 16:15, Borrell pritet të zhvillojë takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç. Pas takimeve të ndara, në orën 17:15, Josep Borrell do të zhvillojë takim të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Pas takimeve, Borrell pritet të mbajë deklaratë për shtyp.
Karakteristikat e propozimit evropian
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 13 shkurt në Kuvend lexoi “disa karakteristika” të versionit të parë të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këto karakteristika, sipas Kurtit, janë:
1-Propozimi bazohet në modelin e marrëveshjes gjermano-gjermane të vitit 1972 dhe të shumë modeleve të tjera të njohjeve de-facto të shtetësisë në historinë e marrëdhënieve ndërshtetërore p.sh. marrëveshja Japoni-Kore Jugore. Vetë Gjykata Kushtetuese e Republikës Federative të Gjermanisë e kishte konstatuar në vitin 1973 që marrëveshja gjermano-gjermane ngërthente më vete njohjen de-facto të shtetësisë së njëra-tjetrës dhe njohjen e integritetit territorial nga prizmi i së drejtës ndërkombëtare.
2-Propozimi ngërthente në vete pranimin nga palët të parimit të barazisë në sistemin ndërkombëtar, i cili është parimi kyç i Kartës së Kombeve të Bashkuara sa i përket marrëdhënieve ndërmjet shteteve të pavarura.
3-Propozimi, gjithashtu, përcaktonte njohjen nga palët, të parimeve të barazisë së sovranëve, integritetit territorial, zgjidhjen paqësore të konflikteve në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
4-Propozimi përfshinte heqjen dorë të Serbisë nga pengimi i anëtarësimit të Kosovës në çdo organizatë ndërkombëtare që përfshin jo vetëm organizatat në kontinentin evropian, por edhe ato me shtrirje universale si OKB, UNESCO apo NATO.
5-Propozimi përfshinte njohjen e palëve ndaj njëra-tjetrës të së drejtës së përfaqësimit shtetëror në terrenin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
6-Propozimi përfshinte shkëmbimin e zyrave të përhershme diplomatike në formën e legatëve që janë ambasada faktike e që përbënin formën normale të marrëdhënieve ndërshtetërore para Luftës së Dytë Botërore.
7-Propozimi përmbante njohjen e dokumenteve shtetërore që kanë efekt ndërkombëtar të shtetësisë për shtetasit, përfshirë të pasaportave të njëra-tjetrës nga njëra-tjetra.
8-Propozimi, megjithatë, përmbante edhe dy norma që lidheshin me të drejtat e komunitetit serb në Kosovë: E para, normën që e përcaktonte komuniteti serb, do të ketë një të drejtë të vetëmenaxhimit në përputhje me instrumentet, konventat e Këshillit të Evropës, ashtu siç ka çdo komunitet minoritar në shtetet anëtare në Këshillin Evropës.
9-Dhe, e dyta, formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, gjë që ne veçse e kemi bërë përmes njohjes së ekzistencës së kishës në Ligjin tonë për komunitetet fetare në Kosovë.
10-Pika 10, e fundit, parashihte rregullën që të gjitha marrëveshjet e Brukselit do të duhej të zbatoheshin nga palët.