I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, po përpiqet të organizojë një takim mes dy udhëheqësve, Albin Kurti dhe Miroslav Lajcak, në mesin e tensioneve që kanë shpërthyer në veriun e Kosovës. Planet janë që takimi të mbahet në Bratislavë të Sllovakisë.
Iniciativa mbetet në kuadër të një “ideje dhe përpjekjeje, dhe nuk ka konfirmime nga palët nëse janë të gatshme për një takim të tillë”. Bratislava përmendet si vendtakim I mundeshim mes Kurtit dhe Vuçiç, pasi që të dy janë ftuar të marrin pjesë në konferencën për siguri globale, Globsec, që po zhvillohet në Sllovaki.
Kryeministri Kurti kishte paralajmëruar se do të merrte pjesë në një panel të martën pasdite por nga Qeveria e Kosovës thanë të martën, se pjesëmarrja e kryeministrit në këtë konferencë në Sllovaki, mund të anulohet. “Ka qenë e planifikuar që Kurti të shkojë. Por, për shkak të zhvillimeve në vend është shtyrë pjesëmarrja. Nuk është vendosur ende nëse do të marrë pjesë ose jo”, citon Evropa e Lirë, qeverinë e Kosovës.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është parashikuar të marrë pjesë në një panel të mërkurën, me temën: “Rruga e hapur-Ballkani Perëndimor kthehet në punë”. Në këtë panel do të jetë i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.