Artion Duka, i cili deri më sot ka qenë në krye të policisë së Beratit, detyrë që e mori në prill të vitit të shkuar, nuk është një emër i panjohur për median. Ai ka qen shef i operacionales që përdori pajisjen e famshme të përgjimit IMSI Catcher.
Kujtojmë se skandali i IMSI Catcher nisi në qershor të 2016, kur në krye të policisë së shtetit ishte Haki Çako. Në atë kohë Duka ishte drejtor i Forcave Operacionale, kur nga prokuroria u akuzua bashkë me Entio Xhelilaj, specialist në F. O, për shpërdorim detyre dhe pengim të zbulimit të së vërtetës.
Në atë kohë prokuroria, dyshonte se këta persona, me veprime ose mosveprime, kanë lejuar aktivitet të kundërligjshëm përgjimi.
Në lidhje me këtë pajisje përgjimi, edhe vetë Drejtori i Policisë së Shtetit në atë kohë, Haki Çako e pranoi ekzistencën e saj, dhe gjatë marrjes në pyetje në prokurori ka pranuar se me anë të kësaj pajisjeje është bërë identifikimi i personave me rrezikshmëri për shoqërinë. Gjithashtu, prokuroria ka sekuestruar serverin qendror të kamerave të sigurisë në ambientet e Forcave të Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit, ku mësohet se në server ka ndërhyrje
Por në atë kohë gjykata e Apelit liroi Dukën dhe Xhelilajn, si dhe vendosi kthimin në detyrë të dy oficerëve të forcave operacionale. Opozita reagoi një vit më parë për emërimin e Dukës në krye të policisë së Beratit, pikërisht për shkak të skandalit të IMSI Cacher.
