Kryeministri Edi Rama ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe, por sigurisht që në rrjetet sociale nuk i humb vëmendja nga aktualiteti në Shqipëri.
Në postimin e mëngjesit ai ka folur për Drijonën, një studente ekselente e fakultetit të Drejtësisë që ka nisur punë në administratë falë Paktit për Universitetin.
Drijona ka fituar pozicionin e specialistes në Drejtorinë e Përgjithshme të financimeve dhe kontraktimeve për fondet e BE-së, Bankës Botërore dhe donatorëve të tjerë në Ministrinë e Financave.
“Unë kam përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës dhe jam diplomuar si studente ekselente në të dyja ciklet e studimeve Bachelor dhe Master (…) Gjithashtu kam përfunduar edhe studimet Master në të Drejtë Civile, po ashtu e diplomuar me medalje të artë.
Realisht, të jem e sinqertë, nuk kam aspiruar të jem pjesë e administratës publike deri në momentin kur realizova një aplikim online me qëllimin që të përfitoja një përvojë kualifikuese 1-vjecare në institucionet e administratës publike. Në përfundim të kësaj përvoje kualifikuese pata mundësi të aplikoja për pranim në shërbimin civil, pranë departamentit të administratës publike.
Aplikimi nuk ishte aspak i vështirë, unë kam aplikuar vetëm në bazë të certifikatave, CV-së, diplomave dhe një letre motivimi ku shpjegoja arsyejen se përse doja të isha pjesë e administratës”, ka treguar Drijona.
