Politikani nga Mitrovica, Xhafer Deva ka marrë vëmendje edhe pas 44 vitesh pas vdekjes së tij. Pas gjithë kësaj kohe, Ministria e Kulturës në Kosovë ka marrë përsipër ta restaurojë shtëpinë e dikur ministrit të Punëve të Brendshme të Shqipërisë.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka reaguar me shqetësim pas lajmit për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, duke treguar se ai kishte qenë bashkëpunëtor i nazistëve që e kryen Holokaustin, gjenocidin ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Midis viteve 1941 dhe 1945, Gjermania Naziste dhe bashkëpunëtorët e saj vranë sistematikisht rreth gjashtë milionë hebrenj në të gjithë Evropën e pushtuar nga ta, rreth dy të tretat e popullsisë hebraike të Evropës.
Nё vitin 1944, Xhafer Deva ishte emёrua Ministёr i Punёve tё Brendshme nё qeverinё e Shqipërisë. Në pranverë të po atij viti, ai e kishte ngarkuar një ndër krerët e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”, Bedri Pejanin, që të krijonte divizionin SS “Skanderbeg”, që sipas disa historianëve, i kontribuoi fuqishëm kryerjes së krimeve ndaj hebrenjve.
Nga ana tjetër, mbështetësit shqiptarë të aktivitetit të Xhafer Devës e lidhin rolin e tij kryesisht me formimin e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”. Xhafer Deva konsiderohet si themelues dhe kryetar i shquar i këtij formacioni ushtarak e qeverisës në mbrojtje të kufijve të Shqipërisë.
Shtëpia e Devës është konsideruar monument i veçantë nga Kosova, që planifikon restaurimin e atij objekti. Restaurimi ka nisur këtë muaj në kuadër të programit “Trashëgimia kulturore si nxitëse për dialogun ndërkomunitar dhe kohezionin social”. Projekti i hartuar nga “CHwB Kosova” bashkëfinancohet nga Zyra e Instrumentit për Stabilitet dhe Paqe e Bashkimit Evropian dhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Implementimi bëhet nga UNDP-ja.
Kostoja e restaurimit është paraparë të jetë 300 mijë euro.
Xhafer Deva vdiq më 25 maj të vitit 1978. /Express
