Tre deputetët e LSI-së (tashmë Partia e Lirisë), kanë votuar kundër shkarkimit të Arben Ahmetajt nga postet që mbante në Qeveri.
Monika Kryemadhi, Petrit Vasili dhe Erisa Xhixho votuan kundër dekretit të shkarkimit, ndërsa deputeti i katërt i dalë nga LSI, Agron Çela nuk mori pjesë fare në votim.
Në mënyrë të beftë kryeministri Edi Rama, njoftoi se kishte ndryshuar numrin dy të kabinetit të tij qeveritar, zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, një prej figurave ndoshta më jetëgjatë si pjesë e qeverive socialiste që nga 2013. Ai ka mbuluar funksione të ndryshme nga ministri i Ekonomisë, te ai i Financave, me një ndërprerje në vitin 2019, kur ju rikthye jetës parlamentare, për t’u përfshirë sërish në kabinetin qeveritar pas tërmetit të nëntorit të po atij viti.
Një largim i mundshëm i tij kishte kohë që përflitej në korridoret e shumicës.
Rama e motivoi lëvizjen e tij me faktin se Rindërtimi nuk është më prioriteti i qeverisë, duke qenë se ndodhet në fazë përmbyllëse.
Largimi nga të gjitha postet që mbante në qeveri ka rritur zërat se Arben Ahmetaj mund të largohet dhe si drejtues i PS për Qarkun e Vlorës.