Policia e Shtetit në Pordenone në Italisë vazhdon hetimet kundër një bande hajdutësh nga Shqipëria. Në vazhdim të aktiviteti hetimor, janë zbuluar vendet ku grupi fshihte sendet e grabitura në Veri-Lindje të Italisë. Nga Nëntori i vitit 2018 deri në Shkurt të vitit 2019, banda e shqiptarëve akuzohet për 66 vjedhje të kryera nëpër shtëpi dhe vila, ku ata grabisnin bizhuteri, para dhe armë zjarri.
Policia ka arritur të konfiskojë 1.3 kilogramë stoli me vlerë rreth 1 milion euro dhe një pistoletë dhe një kasafortë me municione. Të gjitha këto sende janë gjetur në një shtëpi të braktisur në një pyll midis Sacile dhe Conegliano.
Banesa u zbulua falë analizës së të dhënave të marra nga celularët e tre shqiptarëve dhe lëvizjeve të tyre. Policët kontrolluan zonën e pyllëzuar dhe gjetën shtëpinë e braktisu ku pranë saj ishte edhe një rrjedhë lumi. Aty ata arritën të zbulonin një kasafortë brenda së cilës kishte municione dhe bizhuteri. Policët gërmuan në disa vende dhe arritën të identifikonin disa gropa ku vjedhësit kishin groposur disa xhevahirë dhe një pistoletë.
Grupi i shqiptarëve është arrestuar në Shkurt të këtij viti dhe pjesë e tij ishin: Darjel Prushi, 27 vjeç nga Kruja, me precedent të mëparshëm, me banim në Conegliano. Edmod Ethemaj, i njohur si “Mondi”, 35 vjeç nga Peqini, jetonte në Conegliano, dhe Nikoll “Niku” Dobrozi, 27 vjeç, nga Mamurrasi pa një vendbanim fiks në Itali.
Grupi akuzohet për 66 vjedhje, por hetuesit besojnë se numri i vjedhjeve mund të arrijnë në rreth njëqind. Deri tani policia ka verifikuar se rreth 2 milionë euro janë të ardhura të paligjshme të përfituara nga vjedhjet e argjendit, orëve, shufrave të arit, si dhe pistoletave dhe municioneve në disponueshmërinë e të arrestuarve, të gatshëm për t’i përdorur ato edhe gjatë sulmit në mbrëmje dhe natë në shtëpi.