Atentati i mbrëmshëm në Vlorë la të vdekur Raqi Mëhillajn 22 vjeç, ndërsa policia dyshon se shënjestër e tij është 32 vjeçari Aleksandër Mato. Të dy ata po udhëtonin me një motor teksa janë qëlluar me breshëri automatiku, të cilat lanë të vdekur Mëhillajn.
Mata është shqiptari i radhës që kërkohet të jetë i vdekur nga një “dorë e panjohur” në Greqi dhe gjithçka ka filluar pas vrasjes së avokatit të njohur grek Mihalis Zafiropulos.
Kjo vrasje ka shkaktuar tërmet në Greqi edhe pas zbulimit të disa përgjimeve mes avokatëve të tjerë dhe Klodian Lekoçajt, i cili sipas mediave greke është shqiptari që drejton “Mafien e Burgjeve” në Greqi dhe ka njohuri mbi ekzekutimin e avokatit grek.
Në lidhje me këtë vrasje janë arrestuar edhe disa avokatë të tjerë si edhe e dashura e Lekoçajt, edhe ajo avokate sipas mediave greke.
Vrasja e avokatit
Arbër Bako, Olti Duçe dhe Klodian Lekocaj ishte treshja e shumë përfolur e shqiptarëve, të cilët së bashku me dy shqiptarë dhe dy grekë të tjerë akuzohen se ishin një grup kriminal që kryente vrasje me pagesë.
Emri i Bakos dhe shokëve të tij do të dilte në vitin 2014, kur ai qëlloi me kallashnikov një lokal në Athinë duke lënë të plagosur 15 persona. Policia e arrestoi atë disa ditë më parë, ndërsa në dosje kishte edhe krime te tjera të tij.
Bako mundi të dalë nga burgu deri në vitin 2017 kur u ekzekutua avokati i njohur grek Mihalis Zafeiropoulos, i cili ishte futur në burg një biznesmen të njohur grek.
Aristidis Floros kishte vjedhur 260 milion euro të shtetit grek përmes mashtrimit. Kur ishte në burg, biznesmeni në fjalë mendoi të hakmerrej ndaj avokatëve duke porositur kështu bandën e shqiptarëve për vrasjen e tij, sipas mediave greke.
Policia greke dyshon se porosinë për vrasjen e avokatit e morën pikërisht Arbër Bako, Klodian Lekocaj dhe Olti Duçe. Këta të fundit ia përcollën porosinë “ushtarëve” të tyre, Aleksandër Mata (iu bë atentat mbrëmë) dhe Mikel Brahimaj (ndodhet në burg) greke duke bërë kështu që të vritej avokati.
Fill pas kësaj, policia i arrestoi të pesë shqiptarë duke i përballur edhe me akuzat.
Nga të gjithë ata shpëtoi pa u kapur vetëm Aleksandër Mata, i cili pasi kreu një grabitje në një argjendari në Athinë la edhe një letër duke thënë se nuk e kishte shkrepur ai armën kur u vra avokati grek.
Eliminimet
Në periudhën kur u arrestuan nisin ndërkohë edhe eleminimi i dëshmitarëve të vrasjes së avokatit.
Tashmë grupi i shqiptarëve ishte shkatërruar edhe ata akuzonin njëri-tjetrin për nxjerrjen e emrave duke i mundësuar kështu prokurorisë qepjen e dosjes.
Gjatë viteve të fundit në burgjet greke janë vrarë tre shqiptarë që kishin dijeni për vrasjen në fjalë, të cilët do të dëshmonin në gjyq.
Dëshmia ishte edhe shkaku i transferimit të Arbër Bakos nga Chania për në burgun e Koridalos, ku edhe u masakrua me thika. Mediat greke raportojnë se një ndër personat që theri Bakon ishte Mikel (Brahim) Brahimaj, personi që bashkë me Matën ekzektuan avokatin Zafiropulos.
Urdhri për vrasjen e Bakos
Autoritetet greke dyshojnë se urdhrin për vrasjen e Bakos e ka dhënë ish-shoku i tij, Klodian Lekoçaj.
Policia greke përgjoi një bisedë të Klodian Lekocaj me të burgosurin Mikel (Brahim) Brahimaj, i cili goditi Albert Bakon.
Në këtë bisedë, Lekoçaj duket se qorton vrasësin e Bakos pse ai e ka vrarë atë jashtë qelisë së burgut, ndryshe nga çfarë ishte planifikuar.
Kjo kishte sjellë pasoja, pasi kamera të sigurisë kishin filmuar skenën duke djegur një bashkëpunëtor 25-vjeçar grek këtë herë, i cili ishte urdhëruar që pas lirimit të tij të kryente detyra të caktuara që banda do t’i besonte.
“Të thashë 100 herë që ta bësh brenda dhomës tënde”, i tha Lekoçaj për të marrë si përgjigje justifikimin: “Nuk bëhej. Si mund ta bëja Brenda dhomës kur ai po më shikonte? Prisja të kthehej pak që të mund të nxirrja thikën. E gjeta rastin vetëm aty tek dera, sapo u kthye ia futa një në zverk”.
Vrasja e Bardhyl (Bandiol) Tushës
Në burg është ekzekutuar gjithashtu edhe Bardhyl Tusha, i cili dyshohet se strehoi në shtëpinë e tij njërin prej vrasësve të avokatit grek.
Policia tha se kishte vdekur nga mbidoza e drogës, por familjarët deklarojnë se ai nuk konsumonte lënde narkotike dhe se ishte helmuar nga banda e ciganëve në burg.
Akuza për tentativë vrasje në burg ka patur edhe nga Klodian Lekoçaj, shkruan Albeu.com. Policia ka marrë masa shtesë për mbrojtjen e Lekoçajt në një kohë që e akuzon se porositi vrasjen e Bakos dhe dëshmitarëve të tjerë. Megjithatë, këto akuza janë ende të paprovuara pasi dyshohet se një dorë tjetër është pas këtyre vrasjeve dhe ai të ketë lidhje me biznesmenin grek sipas mediave greke.
Tashmë shqiptarët kanë kundër edhe biznesmenin grek që i porositi për vrasjen e avokatit. Ai gjithashtu ka bandën e vetë që eleminon dëshmitarët duke e kthyer kështu situatën në burgjet greke mjaft dramatike për ata që kanë sadopak lidhje me atë vrasje.