Gjykata Kushtetuese përmes një njoftimi ka bërë me dije se ka rrëzuar kërkesën e PD-së “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve shtetërore dhe funksionarëve publikë në çështjet që kanë sjellë si pasojë vendimin e Arbitrazhit “Becchetti dhe të tjerë kundër Shqipërisë”.
Në argumentimin e saj Gjykata shprehet se nuk u arrit numri i kërkuar i votave për vendimmarrje, sipas nenit 73, pika 4, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, në lidhje me legjitimimin e ¼-ës të deputetëve që kanë vënë në lëvizje gjykimin kushtetues në raport me ¼-ën e deputetëve që kanë kërkuar ngritjen e komisionit hetimor.
Për këto arsye, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës.
