Më 4 mars kur Totenhem u eliminua me penallti nga Noruiç në Kupën e Anglisë, ndodhi një episod i pazakontë, ku protagonist ishte mesfushori i “Spurs”, Erik Dajer. Në fund të sfidës kamerat inkuadruan mesfushorin, duke u ngitur në tribunë dhe shkuar të përleshet me një tifoz.
Në momentin kur ai po debatonte me tifozin u krijua një kaos i madh dhe u desh ndërhyrja e forcave të sigurisë për të qetësuar gjendjen. Në një nga videot e publikuara dëgjohet Dajer, teksa i thotë një tifozi: “Hej, ai është vëllai im”. Pas kësaj forcat e sigurisë e shoqëruan në fushë Dajer dhe situata iu kthye normalitetit.
Pas ndeshjes Murinjo e mbështeti Dajer për faktin se ai shkoi të mbronte vëllain e tij dhe nuk ishte dakord që klubi ta dënonte, por nëse i shpëtoi ndëshkimit nga Totenhem, nuk arriti ta shmangë këtë ndaj institucionit disiplinor të Federatës Angleze. Ditën e sotme është zbardhur dënimi i mesfushorit.
Ai do të paguajë një gjobë prej 40 mijë paundësh dhe ç’është më e rëndësishmja do të jetë i detyruar të mos luajë në katër ndeshjet e radhës për skuadrën e tij. Një dënim i madh, që rëndon shumë për Murinjon, në një kohë kur kampionati po vjen drejt fazës finale dhe londinezët nuk kanë siguruar ende një vend në Europë.
