Futbolli prej momentit kur është kthyer pas ndërprerjes nga koronavirusi, nuk po duket më ai i mëparshmi. Dhe, e gjithë kjo për arsyen e vetme se në shkallët e stadiumeve mungon lojtari i 12, tifozët.
Duke qenë se është detyrim të zbatohet rregulli për distancimin social për të mos ndihmuar përhapjen e koronavirusit, u vendos që spektatorët të mos lejoheshin në brendësinë e impiantit. Mirëpo, mbrëmjen e sotme, futbolli në Kosovë ka marrë një lajm mjaft të gëzueshëm pasi nga kjo javë dyert e stadiumeve do të hapen dhe shkallët nuk do të jenë bosh.
Ndërkohë, shpresohet që edhe në Shqipëri të shikohet mundësia e një vendimi të tillë duke qenë se tifozët janë një nga aspektet më të rëndësishëm të skuadrave, ndërsa stadiumet të cilat janë ambiente të hapura dhe shumëvendëshe gjithashtu krijojnë edhe mundësinë për të pasur distancim brenda rregullave. Kështu, pas Malit të Zi, Hungarisë dhe Serbisë, Kosova tashmë bëhet vendi i radhës që lejon futbollin të jetë i plotë në të gjithë spektaklin që dhuron.
