Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka vizituar dy prej familjeve, të cilat lanë shtëpitë e tyre të dëmtuara rëndë nga tërmeti në Pallatin nr. 4 në rr. “Myslym Keta”, dhe prej një viti janë sistemuar te lagjja e re te “5 Maji”. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Veliaj falënderon për mirëkuptimin edhe 30 familjet e tjera të të njëjti pallat, të cilat tashmë janë zhvendosur në apartamentet e reja.
“Zemra mal për familjen e bukur të Bujarit, Halimes, Erjonit, Erionës dhe Asjan e vogël, si dhe për çiftin e të moshuarve Jonuz dhe Drita Zhuta, të cilët lanë shtëpitë e tyre të dëmtuara rëndë nga tërmeti në Pallatin nr. 4 në rr. “Myslym Keta”, dhe prej një viti janë sistemuar për bukuri te lagjja e re te “5 Maji”. U jam shumë mirënjohës edhe 30 familjeve të tjera, nga po i njëjti pallat, që kanë pranuar marrëveshjen me bashkinë dhe tani janë sistemuar në apartamentet e reja , të projektuara nga arkitekti Stefano Boeri”, thotë Veliaj.
