Përgjegjësitë tona kalojnë mbi partitë politike dhe për LSI rezultati i 30 qershorit është pikënisja e një përgjegjësie shumë të madhe, ka thënë kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi.
“Prandaj përgjegjësitë tona kalojnë mbi partitë politike. Beteja jonë për Shqipërinë tonë dhe për shqiptarët e fëmijët e shqiptarëve, për të ardhmen e tyre, këtë mision historik do ta çojmë deri në fund. Çdo sakrificë është shumë e vogël përpara këtij misioni të madh. Tashmë fillon beteja përballë zhdukjes njëherë e përgjithmonë të grupeve kriminale dhe të krimit të organizuar. Tashmë aleatë të kësaj beteje nuk janë vetëm aleatë të kësaj partive politike, po aleatë të kësaj beteja janë 85% e shqiptarëve që refuzuan përfundimisht monizmin që kërkon të instalojë Edi Rama me krimin e organizuar”, tha ajo.
Në një dalje për mediat, kryetarja e LSI shigjeton dhe bashkëshortin e saj President, të cilin dhe më herët e ka quajtur fajtor që la Edi Ramën në pushtet, por këtë herë duke thënë “lejuam si padashje në majat e ekzekutivit një njeri të papërgjegjshëm”.
“Të gjithë së bashku, kush më shumë e kush më pak, lejuam si pa dashje për t’u ngjitur në majat e ekzekutivit një njeri të papërgjegjshëm, por mbi të gjitha të lidhur me krimin e organizuar. Instalimi i diktaturës së krimit të Edi Ramës ka krijuar dëmin më të madh te shqiptarët dhe Shqipëria, e cila po e ndjen në mënyrë dramatike. Varfëria e tejskajshme, largimi në masë i të rinjve, mungesa e shpresës për ta dhe vendosja e regjimit të vizave për shqiptarët, do të thotë se me Edi Ramën në krye po shkojmë drejt izolimit total dhe të pakthyeshëm. Ne e kemi kuptuar shumë mirë mesazhin e 85% të shqiptarëve refuzues dhe duhet të punojmë fort për këtë. Lufta kundër papunësisë, varfërisë, padrejtësisë, krimit, grabitjes që qeveria moniste e Edi Ramës bën çdo ditë e çdo orë ndaj shqiptarëve në pronat e tyre, me taksat e larta, me papunësinë dhe me një ekonomi që po rrënohet çdo ditë”, tha Kryemadhi.
