Miralem Pjaniç pas katër vitesh i veshur bardhezi ka vendosur të bëjë një tjetër hap të madh, duke kaluar te Barcelona si këmbim me brazilianin Artur. Pasditen e sotme është zyrtarizuar gjithçka dhe pas kësaj Pjaniç ka vendosur të shkruajë një letër lamturmire. Boshnjaku ka falenderime për të gjithë dhe mirënjohje për presidencën.
“Erdha para 4 vitesh dhe u mundova të fitoja gjithçka. Sepse gjërat që nuk imagjinohen, një lojtar i Juventusit duhet t’i provojë. Kanë qenë katër vite me intensitet, kam fituar eksperiencë nga profesionistë të mëdhenj, përkrah shokëve të vërtetë me të cilët kam ndarë fitore, rekorde, por dhe humbje të vështira. Këto vite jam rritur si burrë dhe si baba.
Ky është qyteti që Edin u rrit, u bë një fans i madh i skuadrës, dhe familja ime krijoi kujtime shumë të mira. Nuk mendoj se mund të falënderoj mjaftueshëm, por faleminderit familja Anjelli, faleminderit të gjithë shokëve që kam ndarë këtë udhëtim. Falënderim për të gjithë punonjësit dhe stafin që më kanë ndihmuar të rritem, një falënderim për tifozët që e bënin çdo ditë speciale”, shkroi mes të tjerash mesfushori boshnjak.