Përfaqësues të Komisionerit për të drejtat e njeriut në Shqipëri, kanë debatuar me gazetarë, reporterë lokalë dhe përfaqësues të mediave të ndryshme, të qytetit të Lezhës, lidhur me mënyrën sesi raportohen problematikat e komunitetit LGBTI.
Debati më shumë është përqendruar mbi terminologjinë korrekte që duhet përdorur nga gazetarët për të raportuar në mediat për ngjarjen që kanë të bëjnë me komunitetin LGBTI. Po ashtu, nuk është jashtë diskutimit edhe stigmatizimi i personave LGBTI, dhuna e përdorur ndaj tyre, largimi që shumë familje i kanë bërë atyre.
Gjatë takimit u sollën në vëmendje statistika të anketimeve që janë realizuar për këtë komunitet. Në bazë të tyre:
78 % e personave LGBTI kanë pësuar dhunë në shoqëri
48% e të anketuarve, e konsiderojnë homoseksualizmin sëmundje
1 në 2 persona, mendojnë se homoseksualizmi është i importuar nga jashtë
28% mendojnë se homoseksualiteti duhet dënuar
52% pranojnë se familjet bëjnë mirë që i përzënë nga shtëpia fëmijët e tyre LGBTI
Vetë gazetarët e Lezhës, pranuan se nuk kanë raportuar thuajse asnjëherë për këtë komunitet, si edhe u ndeshën për herë të parë me termat e saktë që duhen përdorur.
Sipas tyre, në qytet ka një mentalitet ende të papërgatitur, për të pranuar brenda shoqërisë, persona LGBTI.
