Deputeti demokrat Flamur Noka ka folur mbrëmjen e sotme për votimin në Kuvend të projektligjit për hapjen e dosjeve nga ana e PS dhe grupit të PD të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj.
Flamur Noka tha në ‘Ora TV’, se ata kanë dorëzuar një ligj që dënon xhelatët ndërsa shtoi se ligji i miratuar një ditë më parë godet viktimat e komunizmit.
“Partia Demokratike dhe opozita ka një qëndrim të prerë për çështjen e dënimit të krimeve të komunizmit dhe për nomenklaturën që ka bashkëpunuar me regjimin. Ne kemi paraqitur në kuvend një ligj lustracioni dhe dënon xhelatët. Çdokush që synon që të jetë pjesë e politikës dhe qeverisjes duhet të kalojë këtë vetting. Ligji që miratoi dje Rama hap dosjet e viktimave, është një ligj për viktimat. Nuk dënohet komunizmi nëse s’ke dënuar xhelatët.
Askush nuk e ka pasur pengesë që të verifikojë dosjet e tij. Dosjes e para ’90 nuk janë të klasifikuara, por ky ligj që u miratua mbrëmë është i inskenuar në kuzhinën e Ramës për të bërë gjueti shtrigash, sidomos ndaj aleatit tonë Ilir Meta. Askush nuk bën ligj për të hequr njerëz nga politika me ligj, nëse nuk e heq dot me votë. Kjo është kriminale”, u shpreh Noka.
Referuar kryetarit të Partisë së Lirisë Ilir Meta, Flamur Noka e cilësoi një nga personalitetet kryesore të politikës.
“Ilir Meta është një nga personalitete kryesore të politikës në 32 vjet demokraci. Është një njeri që sot drejton një parti dhe deri dje ishte president. Kur guxojnë të sajojnë përralla për ta njollosur atë, imagjinoni se çfarë i bën një qytetari të thjeshtë. Ne si parti nuk kemi asnjë problem me këtë gjueti shtrigash”, u shpreh Noka.