Prej më shumë se një muaji tashmë llotot e bastet sportive u mbyllën nga qeveria, por duket se tashmë ka lulëzuar një tjetër aktivitet i paligjshëm , ai i pokerit.
Vetëm në këto 24 orë në të gjithë vendin falë denoncimeve të qytetarëve janë gjetur tre raste në Tiranë, Elbasan dhe Berat.
Sipas burimeve zyrtare një 27-vjeçar në Tiranë është proceduar penalisht pasi në lokalin e tij në rrugën “Myslym Shyri” organizohej lojë pokeri.
“Në Tiranë, shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr.3, kanë proceduar penalisht shtetasin F. Sh., 27 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, pasi në rrugën “Myslym Shyri” gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e këtij shtetasi u gjet një tavolinë pokeri e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, thotë policia.
Edhe në Berat, u proceduan penalisht A.Z., 47 vjeç, banues në Poliçan, pasi në subjektin “Bar-Kafe” ushtronte aktivitet pa kasë fiskale dhe lojëra fati (lloto sporti). Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një laptop.
Në Elbasan, Policia procedoi penalisht pronarët e një subjekti I.Ç., 38 vjeç dhe G.Ç., 22 vjeç, banues në fshatin Vidhas, Elbasan, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Organizimi i lotarive të palejuara”, dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, pasi në ambientet e lokalit në pronësi të tyre ushtronin aktivitet të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
