Nga Lorenc Vangjeli

E ka shpjeguar Ismail Kadareja, e besonte Lasgush Poradeci, e ka paradëshmuar edhe gjermani i famshëm Gëte dhjetra vjet më parë. Thelbi i idesë së tre kolosëve të letërsisë dhe shumë sivëllezërve të tyre letrarë, është se poetët janë përgjegjës për gjithçka ndodh në botë dhe se shkrimtarët janë në gjendje të dëgjojnë shungëllimin e barit që rritet, por mund të mos ndjejnë zhurmën e revolucionit që gjëmon mbas shpinës së tyre. Sepse bari dhe evolucioni, kanë fytyrë më njerëzore se revolucioni dhe se ndoshta, të dy së bashku, edhe bari, edhe evolucioni, nuk i bëjnë dëm qënies njerëzore!

Duke perifrazuar këta tre evropianë të famshëm, mund të thuhet se një poet është fajtor nëse nuk ndjen psherëtimën e një zemre që dridhet nga dashuria apo se një shkrimtar është mëkatar nëse nuk prek zemrën e një shoqërie që psherëtin në krizë.

Fajtorët dhe mëkatarët, në fakt, në të gjitha rastet, janë më interesantë se ëngjëjt, që për më tepër, ekzistojnë realisht vetëm në Librat e Shenjtë dhe si personazhe gjenden vetëm në letërsinë e dobët. Kjo është një nga arsyet, në mos e para, jo e vetmja, që poetët dhe shkrimtarët, janë krijesa të komplikuara tek të cilët, Perëndia dhe evolucioni, kanë qenë dashamirës.

Sot në Tiranë, pothuaj si në të gjithë botën, imazhi ka vrarë thelbin, dukja dhe forma kanë deformuar mendimin dhe e lehta, sipërfaqësorja, shkëlqimi fallso i rrjeteve sociale, vithet e Kardashianit apo gjoksi i Demi Rose, princërojnë në një shoqëri që lulet i kërkon tek parfumet dhe pandeh se pyjet frymojnë në instagram, që beson se kuajt gjenden tek cilindratat e fuoristradave dhe vetë oqeani, është krijuar në vaskën e tualetit së tyre. Sot në Tiranë diskutohet se çfarë do të bëjnë nesër me zyrën Xhelali i Shkodrës, Xhemali i Kamzës dhe gjithë xhahilët e politikës që kanë idenë se bota rrotullohet rreth tyre.

Keqkuptimi fatal me çfarë konsiderohet sot moderne, ngjan me marëdhënien e racës njerëzore me koshin e vet të mbeturinave. Gjithkush e di nevojën gjithmonë e më të madhe për landfill-et për shoqëritë e sotme të urbanizuara, por askush nuk do të zgjidhte të jetonte aty. Në të kundërt, për fat të keq, sot:

do të dëgjohej shumë më shumë gërvima e kompiuterit të një këngëtareje plastike sesa do të shijohej pasaporta shqiptare që Robert Schwartz i dha Gëtes;

do të pyetej më parë për dashurinë një çupkë ekrani sesa të pritej përgjigje për drithërimën e shpirtit nga Lasgushi;

një patriot stadiumi do të rrokaniste pluhur dalldie për Shqipërinë dhe do të merte më shumë like instagrami sesa Ismail Kadareja që vazhdon të shkruajë evropianisht për Shqipërinë e mosmarëveshjeve;

Kjo është kriza e gjithë botës moderne. Në këtë botën tonë të vogël, plot me njerëz që duan stilin e Evropës, por mendojnë si otomanë, kriza është vetë Mbreti.

Një Mbret që sapo vdes, dëgjon si brohoritet për jetë të gjatë, Mbreti i rradhës së qametit të rradhës! Ky quhet gabimisht rotacion. Njëlloj si një album fotografish, ku koha që kalon në opozitë, pretendohet se rinon dhe i zbraz mëkatet atij që ka ardhur nga një pushtet i shkuar dhe kërkon pushtetin e së nesërmes. Me të njëjtat portrete që në rininë e vuajtur kanë pasur më shumë rrudha se në moshën e pjekurisë, falë bisturisë dhe harresës. Politika që shitet si ujë lumi, i cili mund të rrjedhë më shumë se shumë herë nën të njëjtën urë, nuk është pasojë. Ajo është shkaku i parë dhe i vetëm, që ka nakatosur e dreqosur botën e vogël shqiptare.

E megjithatë, edhe në këtë skaj të trazuar të Ballkanit ankimtar, në këtë kohë xhelalësh dhe xhahilësh hierarkia e vërtetë, nuk ndryshon: E dyta është Fjala! Sepse e para është dashuria! Sepse fjala ka ardhur në këtë botë për të shpjeguar se çfarë është dashuria! Dhe herët a vonë, më mirë vonë sesa kurrë, të gjithë do të kujtohen sërish për poetët e shkrimtarët që dashurojnë me fjalë dhe i falin fjalën dashurisë!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here