Vitin e ardhshëm Shqipëria merr kryesimin e OSBE-së, ndërsa këtë vit është në Trojkën e saj, pikërisht 28 vite pas anëtarësimit të vendit në OSBE të shoqëruar me mjaft sfida.
Përfundimi i Luftës së Ftohtë solli dhe një arkitekturë të re evropiane, ku Perëndimi u fokusua tek shtetet e Lindjes ku perdja e komunizmit kishte rënë në shumicën prej tyre. E fundit prej këtyre vendeve ishte Shqipëria.
Arkvia online e MEPJ-së sjell dokumentet e kohës, kur Shqipëria u anëtarësua më 19 qershor 1991 në KSBE,e cila prej 1995 quhet OSBE.
OSBE është organizata ndërqeveritare më e gjerë e orientuar tek siguria, ku perfshihen kontrolli i armëve, konsolidimi i të drejtave të njeriut, demokracia dhe sundimi i ligjit, liria e shtypit dhe zgjedhjet e lira e të drejta. Ky takim ishte i veçantë në dy perspektiva; së pari ishte i pari takim në këtë format që zhvillohej në përfundim të Luftës së Ftohtë, të konfliktit të gjatë Lindje –Perendim dhe ndarjes së kontinentit.
Së dyti, ai zhvillohej për herë të parë në Berlin pas bashkimit të tij, një zhvillim me rëndësi të madhe jo vetëm për gjermanët, por për të gjithë Evropën. Tani bota po përballej jo më me sfida ushtarake, por me pastabilitetin ekonomik dhe social, konfliktet etnike dhe emergjencat ekologjike. Këto probleme nuk shqetesonin vetëm Evropen, por edhe më gjërë.
Janë shumë interesante konkluzionet që arrihen në fund të këtij takimi, në përmbyllje të konsultimeve politike ku secili nga Ministrat e Punëve të Jashtme pjesëmarrës në këtë takim sollën qëndrimin politik të qeverive te tyre për arkitekturën e re evropiane, dhe këndvështrimin e tyre për të përmbushur angazhimet e marra nga Karta e Parisit për “Një Evrope të Re” 1990, në kuadër të trazicionit ekonomik dhe ndryshimeve sociale në Evropë si dhe të formatimit të punës në të ardhmen e kësaj organizate.
Shtetet pjesëmarrëse mirëpritën Shqipërinë si anëtare në organizatë pas marrjes së letrës së Ministrit të Jashtëm shqiptar drejtuar Ministrit Federal të Punëve të Jashtme Genscher, në të cilën Shqipëria pranonte gjithë angazhimet dhe përgjegjësitë e saj në KSBE. Ata ritheksuan gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të transformimit politik dhe ekonomik në vendet demokratike në tranzicion në drejtim të ekonomisë së tregut, si dhe rëndësinë e vazhdimit të përkrahjes që KSBE duhej tu jepte këtyre vendeve në përpjekiet e tyre për të konsoliduar demokracine dhe për të transformuar ekonomitë e tyre.
Shumë interes paraqet edhe letra e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB drejtuar këtij takimi, për një perspektivë të re të raporteve dhe bashkëpunimit të këtyre organizatave në drejtim të një paqeje më të gjërë botërore, lirisë e drejtësisë.
Të gjitha dokumentet mund t’i lexoni këtu.