Grushtet shpërthyen në radhën e bukës në Gaza, ndërsa mijëra banorë u zhvendosën në jug. Tanket izraelite u futën më thellë në enklavë dhe palestinezët, duke përfshirë fëmijë dhe persona me aftësi të kufizuar, ecën përgjatë rrugës Salahedeen drejt Khan Younis-it.
Sulmet ajrore izraelite goditën spitalin më të madh të Gazës, al-Shifa, duke vrarë një person dhe duke plagosur të tjerë që ishin strehuar atje, thanë zyrtarët palestinezë. Gjithsej të premten u goditën tre spitale dhe një shkollë, duke vrarë të paktën 27 njerëz dhe një betejë tokësore po zhvillohet në një spital tjetër.
“Pse?” bërtiti kjo vajzë palestineze e gjakosur ndërsa disa të plagosur dhe të vrarë shihen në këtë video amatore jashtë spitalit al-Shifa. Të premten në mbrëmje ushtria izraelite ndërpreu furnizimin me energji dhe ujë të pijshëm për spitalet e Gazës.
ShBA-ja shprehu sërish shqetësim për numrin në rritje të vdekjeve të civilëve. Në komentet e tij më të forta deri më tani mbi vuajtjet e civilëve palestinezë, sekretari amerikan i Shtetit i SHBA-së Antony Blinken denoncoi numrin e palestinezëve të vrarë, të vlerësuar nga autoritetet e Gazës në mbi 11,000.
“Shumë palestinezë janë vrarë, shumë kanë vuajtur javët e fundit,” tha ai gjatë një vizite në Indi.
Spitalet janë në veri të Gazës, ku Izraeli thotë se militantët e Hamasit kanë bazat e komandimit. Tanket izraelite, të cilat kanë përparuar në veri të Gazës për gati dy javë, kanë zënë pozicione rreth spitaleve Nasser Rantissi, spitalit të fëmijëve dhe syve si dhe spitalit Al-Quds.
“Izraeli tani po fillon një luftë në spitalet e qytetit të Gazës”, tha për agjencinë Reuters Mohammad Abu Selmeyah, drejtor i spitalit Shifa.
“Gjeni një zgjidhje, ju betohem jemi të lodhur, jemi shumë të lodhur. Nuk na ka mbetur asgjë. Nuk e gjej mamanë, nuk e di ku është, nuk e di ku është motra.”
Kryqi i Kuq Palestinez tha se forcat izraelite qëlluan spitalin Al-Quds ku gjithashtu pati përleshje të dhunshme, një person u vra dhe 28 u plagosën, shumica prej tyre fëmijë.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, nënkoloneli Richard Hecht tha se ushtria nuk qëllon në spitale. Por zëdhënësi i qeverisë izraelite Eylon Levy tha se selia e Hamasit ndodhet në bodrumin e spitalit al-Shifa, ç’ka e bën objektiv legjitim.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se evakuimi i spitaleve është i pamundur. “Po flasim për 45 foshnja në inkubatorë, 52 fëmijë në reanimacion, qindra të plagosur dhe pacientë e dhjetëra mijëra të zhvendosur”, thotë një zëdhënës.
Sirenat u dëgjuan në Tel Aviv dhe zonat përreth për të paralajmëruar njerëzit për sulmin me raketa të Hamasit. Mjekët raportuan për dy gra të plagosura në Tel Aviv. Krahu i armatosur i Hamasit tha të premten se ishte ende duke gjuajtur raketa dhe predha drejt Izraelit dhe duke luftuar kundër trupave në Gaza.
Qindra iu bashkuan funeralit për 11 palestinezët që u vranë gjatë një bastisjeje izraelite në qytetin Jenin të Bregut të pushtuar Perëndimor. Forcat izraelite bastisën qytetin të enjten dhe luftuan një betejë disa orëshe me persona të armatosur në të cilën u vranë 14 vetë, një nga përleshjet më të rënda.
Forcat izraelite forcuan sigurinë dhe ngritën barriera në rrugët e Jerusalemit Lindor përpara lutjeve të së premtes. Besimtarët u mblodhën në kompleksin e xhamisë Al Aksa për të falur namazin, në mes të konfliktit midis Izraelit dhe grupit islamik palestinez Hamas në Gaza.