Në daljen e tij mediatike në fundvit, kreu i PD Lulzim Basha synoi të sjellë një përmbledhje të çështjeve politike të opozitës.
Ndërsa e nisi nga inceneratorët, Basha edhe një herë akuzoi vetë kryeministrin si pjesë të aferës korruptive, ndërsa tha se mbrojtja që Rama po i bën çështjes është provë e përfshirjes së tij.
“Ndërkohë që ne çonim në SPAK kërkesat për hetimin e aferës së inceneratorëve, Rama hidhte ndaj nesh jo vetëm sulme politike dhe mediatike, por edhe kallëzime.
Vetëm një javë para arrestimit të Leftter Kokës, në PD mbërritën kallëzime nga njerëz që sot janë në kërkim, kundër meje personalisht dhe 4 drejtuesve të PD.
Duket qartë që në këtë aferë nuk kemi të bëjmë me një njeri të vetëm, Lefter Kokën që është i prangosur, as me ata 2-3 që janë në kërkim, por kemi të bëjmë me gjithë trupën qeveritare dhe Edi Ramën. Avokatia që Rama u ka bërë atyre është prova më e pakundërshtueshme se ai është bashkëfajtor me Kokën dhe të pandehurit e tjerë.
Prova tjetër e dukshme e rëndësisë që ka afera e inceneratorëve për Ramën, është fakti që edhe kur ndodhen në sekuestro, vazhdojnë t’i paguajnë”, tha Basha.
