Kryeministri Edi Rama mikpriti sot në mbrëmje Presidentin e Francës Emmanuel Macron, i cili mbërriti në Tiranë, në kuadrin e vizitës së parë zyrtare që një President francez zhvillon në Shqipëri.
Ndalesa e parë e Presidentit të Francës Macron ishte në Pallatin e Brigadave, ku në një ceremoni të posaçme, i dorëzoi shkrimtarit tonë të shquar Ismail Kadare, Dekoratën e “Oficerit të Madh të Legjionit të Nderit”.
E ftuar në ceremoninë e dekorimit të Ismail Kadaresë ishte dhe ministraj Spiropali. Përmes një statusi në rrjetet sociale ajo shprehet se Kadare është “Shkrimtari që me zjarrin dhe dritën që solli në kohën më të errët nuk e la mendjen e shqiptarëve të mpihet dhe shpresën për liri t’u fiket”
Statusi i plotë
Vepra e Tij ka përmasa mahnitëse; disa kontinente në hapësirë, disa shekuj në kohë.
Tjetërsimi i qënies njerëzore nën diktaturë përmes një prej personazheve më të skalitur të letërsisë botërore, Ebu Qerimit.
Hamleti i bjeshkëve tona, Gjorgu, i thellë dhe dramatik sa Hamleti i Pallateve.
Saga frymëndalëse e një breznie gjirokastrite.
Janë vetëm tre nga Yjet në konstelacionin e pafund të kryeveprave kombëtare dhe botërore të gjeniut tonë.
Shkrimtarit që me zjarrin dhe dritën që solli në kohën më të errët nuk e la mendjen e shqiptarëve të mpihet dhe shpresën për liri t’u fiket; Luftëtarit më të paepur për identitetin europian të shqiptarëve; Maratonomakut që solli lajmin se s’ka vështirësi që s’përballohet dhe zinxhirë që s’këputen, se e drejta dhe e vërteta gjithmonë vonojnë por gjithmonë vijnë – i takojnë të gjithë titujt dhe nderimet.
*Në ceremoninë e dekorimit të Ismail Kadaresë “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit” nga Presidenti Macron.
