Operatorë telekomunikacioni nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Ballkani Perëndimor (BP) nënshkruajnë në Samitin e Tiranës, Deklaratën e Roaming, që mundëson uljen e tarifave të roaming midis BE-së dhe BP-së që nga 1 tetori 2023.
“Pyetja e parë që na u bë pasi “Roam Like at Home” (Fol si n’shpi) hyri në fuqi në korrikun e vitit 2021 ishte: kur do të ulen çmimet e roaming me BE-në? Ndaj kjo ishte gjëja e parë për të cilën filluam të punojmë pas atij 1 korriku. Dhe sot jam e gëzuar të them se momenti ‘kur’ erdhi: çmimet e roaming-ut ndërmjet Ballkanit dhe BE-së do të ulen bashkë me rënien e gjetheve në vjeshtën e ardhshme. Ky është vetëm fillimi i procesit deri në arritjen e objektivit përfundimtar të çmimeve të roaming-ut në nivel të ngjashëm me atë vendas”- deklaroi Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, në konferencën për shtyp me Zëvendës Kryeministren Belinda Balluku, Komisionierin për zgjerimin e BE, Oliver Varhelyi, e me përfaqësuesit e operatorëve të telekomunikacionit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, pas nënshkrimit të Deklaratës.
Konkretisht, kjo do të thotë që çdo operator i telekomunikacionit në BE dhe BP, nënshkrues të Deklaratës, do të konsiderojë prezantimin e planeve lokale tarifore dhe opsioneve të rrjeteve të tyre telefonike me cmime më të ulura për shërbimin roaming. Ulja e parë e ndjeshme e çmimeve të roaming do të hyjë në fuqi që nga 1 tetori 2023. Është e rëndësishme që politikëbërësit në Ballkanin Perëndimor të përshpejtojnë zbatimin e reformave të politikave në sektorin e telekomunikacionit, të cilat janë në përputhje me konkluzionet e Samitit Dixhital të Ballkanit Perëndimor 2022, me qëllim krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal të Ballkanit Perëndimor dhe të një mjedisi më të favorshëm për biznesin. Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor duhet t’i zbatojnë këto reforma politikash jo më vonë se fundi i vitit 2023.
“Negociatat për të arritur një marrëveshje nuk janë kurrë të lehta. Ndodh edhe që të jenë dhëmbë për dhëmbë. Por kjo Deklaratë është rezultat i angazhimit të ngushtë të operatorëve të telekomunikacionit të BE-së dhe BP-së dhe mbështetjes së Komisionit Evropian, të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, si dhe angazhimit të autoriteteve të rajonit që nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes Rajonale të Roaming të Ballkanit Perëndimor, duke e bërë rajonin e BP të ketë shërbim roaming pa pagesë nga korriku 2021. Muajin e kaluar në Berlin ne bëmë një hap historik përpara me tre marrëveshjet e lëvizshmërisë. Tani roaming me BE-në është një tjetër moment historik që shënojmë në krijimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal (CRM) në Ballkanin Perëndimor. Çdo arritje dhe rezultat që shënjohet nën axhendën CRM është një hap përpara drejt krijimit të një klime investimi mikpritëse që mund të tërheqë investime me cilësi të lartë dhe të qëndrueshme në rajonin tonë. Ftojmë operatorë të tjerë të telekomunikacionit si nga BE ashtu edhe nga Ballkani Perëndimor t’i bashkohen nismës në çdo kohë”- shtoi Bregu.
Të fundit
Postime te ngjashme
Add A Comment