Një makinë tip “Audi”, në të cilën po transportoheshin emigrantë të paligjshëm në përpjekje për t’u larguar nga policia greke, është përplasur me një makinë tjetër, e për pasojë 4 persona kanë humbur jetën dhe 7 të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Ngjarja ka ndodhur paraditen e sotme në rrugën Egnatia Aleksandropolis-Komotini.
Drejtuesi grek i mjetit ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar me autoambulancë në spital. Trupat e të vdekurve dhe të plagosurve u nxorën me shumë vështirësi, ndërsa 6 emigrantët e paligjshëm po trajtohen me plagë të rënda në spitalin e Aleksandoupolit.
