Close Menu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Facebook Instagram
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise
Facebook Instagram
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Abonohu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
Lajmet e Fundit

Maks Velo: Si e ndërtuam Kombinatin dhe e kthyem në lagje të Tiranës, nga një fshati i vogël që ishte

19:24 / December 3, 20195 Mins Read
Facebook LinkedIn Email WhatsApp
kombinati
OLYMPUS DIGITAL CAMERA
Share
Facebook LinkedIn Email WhatsApp

Nga Alma Mile

Lagjja e Kombinatit, ku u shënua edhe viktima e vetme në Tiranë për shkak të tërmetit të 26 nëntorit, ka rezultuar si zona më e dëmtuar në kryeqytet.

Në këtë zonë, me një numër të madh popullsie, specialistët kanë shpallur të pabanueshme disa pallate.

Arkitekti Maks Velo na tregon se si është ndërtuar kjo lagje me karakter industrial në Tiranë, përgjatë tri fazave. Si u kthye një fshat i vogël me pak shtëpi, në një qytezë punëtorësh. Nga ndërtimet e para, të projektuara nga sovjetikët, që pasuan ngritjen e Kombinatit të Tekstileve në vitet ’48-’49, te nevoja për objekte banimi për punëtoret; ngritja e Fabrikës së Qelqit, Kombinatit të Ndërtimit “Josif Pashko”, TEC-it etj.

Pavarësisht se Kombinati ngrihet në një terren moçalor, arkitekti shprehet se nuk është as faji i tokës, as i natyrës, por i pangopësisë së shqiptarëve, që nuk respektojnë normat e ndërtimit, projektet e miratuara, ulin cilësinë e materialeve ndërtimore dhe ngrenë kate shtesë. “Industria e ndërtimit mundëson veshjen më të thjeshtë”, thotë Maks Velo, një nga arkitektët e shumë ndërtesave në gjithë Shqipërinë, që nga objektet e banimit, te kinematë, fabrikat etj.

Si dhe kur ka filluar të ndërtohet Lagjja e Kombinatit?

Lagjja e Kombinatit ka njohur disa faza ndërtimi. “Kombinati” ka qenë një fshat i vogël me shumë pak shtëpi. Faza e parë e ndërtimit përkon me vitet 1948-1949, kur filloi ndërtimi i Kombinatit të Tekstileve. Ishin ndërtesa 2-katëshe me tulla. Pasi u ndërtua Kombinati në vitet ’52-’53, rreth viteve ’55 lindi nevoja për forca punëtore dhe detyrimisht edhe për banesa dhe kështu nisën të ndërtohen pallate. Kjo përbën edhe fazën e dytë, ndërsa e treta shënohet mes viteve ’60-’65. Krahas Kombinatit u ngritën edhe fabrika të tjera më të vogla, si Fabrika e Qelqit dhe nevoja për banim, shtoi edhe numrin e pallateve. E gjithë ajo zonë u kthye në një qytet të vogël, të përshtatshëm për ndërtim. U ndërtua Kombinati “Josif Pashko”, TEC-i etj. Ndërtime janë bërë herë pas here, por përpara ’90-ës, këto përbëjnë fazat kryesore. Pastaj, nisi era e ndërtimeve të panumërta, pa asnjë kriter.

Cilët ishin projektuesit e këtyre ndërtesave?

Fillimisht objektet janë projektuar nga arkitektë rusë, por u zbatuan nga ndërmarrjet shqiptare të ndërtimit. Kombinati i Tekstileve, Qyteti i Punëtorëve, ishin projekte të gatshme të sjella nga rusët dhe që u zbatuan edhe këtu. Ndërtimet vijuan edhe pas largimit të rusëve. U ngritën shkolla dhe objekte të tjera, që nxitën popullimin e zonës.

U ndërtuan nga ndërmarrje ndërtimi apo me “forca vullnetare”?

Jo, nuk kanë qenë ndërtime vullnetare. Kjo mënyrë ndërtimi filloi pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, pas viteve ’85, kur gjendja ekonomike ishte rënduar. E njëjta ndërmarrje ndërtimi që ka ngritur Tiranën, ka ndërtuar edhe në Kombinat. Nuk mund të themi se atje ka punuar një ndërmarrje e “dorës së dytë” apo që ka qenë i “persekutuar”. Gjithçka është ndërtuar mbi bazën e projekteve dhe kushteve të kohës.

Mbi ç’terren është ngritur Kombinati, është i përshtatshëm për ndërtim?

Zona e Kombinatit është ngritur mbi terren moçalor dhe vazhdon të jetë e tillë. Por nuk besoj se ka qenë faji i terrenit. E kam thënë edhe më herët: Nuk është faji i tokës, por i kokës. Industria e ndërtimit është mënyra më e thjeshtë për të vjedhur, pasi është e fshehur. Ndërtuesit ulin markën e betonit, nuk respektojnë projektet, shtojnë kate… bëjnë marrëzira. Sapo ra tërmeti, pashë katër godinat e larta në Tiranë: “Hotel Tiranën” e ndërtuar në kohën e Partisë, “Plazza”-n, Stadiumin dhe pallatin prej betoni te Kisha Ortodokse. Kur i pashë ato që ishin në këmbë, thashë: Tirana është e sigurt! E vërteta është që në këto pallate janë respektuar normat e ndërtimit, ndërsa te të tjerat është abuzuar, me çimenton, me trarët dhe rasti i Durrësit na e tregoi fare mirë këtë. Nuk na e ka fajin natyra, por jemi të pangopur. Me këtë që ndodhi në Durrës, do të duhej të arrestoheshin të paktën 20 vetë, por askush nuk ka për t’u dënuar.

Por një nga pallatet që është dëmtuar më shumë dhe është shpallur si i pabanueshëm është ndërtuar para ’90-ës, vështirë se abuzohej në këtë mënyrë atëherë…

Me siguri ka ndikuar edhe terreni, por më së shumti mund të ketë pasur probleme që në ndërtim, në kolona, soleta etj. Fillimisht ne kemi prodhuar vetëm tullën e kuqe, ndërsa pallatet me tulla silikate, si ai i ndërtesës në fjalë, nisën të ngriheshin rreth viteve ’70- ’75, kur u ngrit Fabrika e silikateve me makineri të ardhura nga Kina. Por nuk është problemi i silikateve. Problemi është më së shumti i ndërtimit.

Pas tërmetit me pasoja tragjike të 26 nëntorit, jemi përballë nevojës emergjente për rindërtimin e zonave të shkatërruara, por a mund të rindërtohet sërish në të njëjtat hapësira në Durrës apo Thumanë?

Sigurisht që mund të rindërtohen aty, sepse sot ka teknika kompjuterike që të tregojnë se si të shmanget çdo lloj rreziku, në terrene të tilla, por kostoja e ndërtimit rritet, pasi duhen ndërtuar themele pllakë, mure me kolona afër etj. Imagjinoni, Dubai është i ngritur i gjithi në rërë. Por shqetësimi i shqiptarëve është vjedhja. U shkatërruan të gjitha Institutet Shkencore dhe u bënë përpjekje për të shkrirë edhe Akademinë e Shkencave, në një kohë që ne duhet të kemi një Ministri të Shkencës dhe Kërkimit shkencor, pasi e ardhmja do të jetë infrastruktura dhe kërkimi shkencor.(Panorama)

Maks Velo
Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Email WhatsApp

Postime te ngjashme

Ish-presidenti Nicolas Sarkozy nis dënimin me burgim

11:40 / October 21, 2025

Raporti për sigurinë nga DASH, deputeti Malaj: Nuk duhet të dizinformojmë siç bëhet me disa ngjarje

17:14 / October 1, 2025

Plani i Donald Trump për paqes në Gaza, reagojnë vendet e BE: Hamas ta pranojë

09:55 / September 30, 2025

Shqipëria bën hapin e parë drejt eliminimit të pajisjeve matëse me përmbajtje mërkuri nga institucionet shëndetësore

20:37 / September 19, 2024
Add A Comment
Leave A Reply Cancel Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

© 2026 TiranaNews. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.