Forcimi i rolit të infermierëve në shërbimin shëndetësor ishte në fokus të Konferencës së Parë Ndërkombëtare“Roli i Infermiermierëve në Shërbimin e Kujdesit Shëndetësor Parësor Përballë Sfidave të Reja Shëndetësore”, të organizuar nga Urdhri i Infermierëve të Shqipërisë, me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Qeverisë Zviceriane, përmes projektit “Shëndet për të Gjithë”.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha në fjalën e saj se i është rikthyer dinjiteti profesionistëve, duke filluar nga uniformat e standardizuara dhe përmirësimi i kushteve të punës.
Duke folur për rritjen e pagave për infermierët, Manastirliu u shpreh se do të shihet mundësia edhe e pagesës për performancë. “Infermierët kanë paga më të mira sepse vetëm vitin e shkuar, ne i rritëm 40% pagat e infermierëve, njësoj siç bëmë me mjekët. Dhe rritja e pagave është një proces që nuk ka mbërritur në fund, sepse do e vijojmë me rritjen 6% të pagave këtë vit dhe 40% brenda këtij mandati. Por paralelisht do të vijojmë të vlerësojmë edhe mundësinë e mbështetjes për performancën në sistemin shëndetësor parësor”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se nuk do të ketë kthim mbrapa, kur foli për mënyrën e rekrutimit të infermierëve në vend.
“Secili nga ju me dijet e veta, me meritokraci dhe transparencë futet në sistemin shëndetësor, dhe kjo është t’iu rikthesh profesionistëve dinjitetin. ‘Infermierë për Shqipërinë’ është një instrument ligjor që na ka mundësuar ne në katër vite, të përfshijmë në sitemin tonë të kujdesit shëndetësorë 4400 infermierë, laborantë, fizioterapistë, logopedistë dhe teknikët e shkencave mjekësore, të punësohen nëpërmjet këtij portali, ashtu sikurse dhe mjekët në sistemin tonë shëndetësorë”, tha Manastirliu.
