Ministri i Brendshëm, Taulant Balla nënshkroi këtë të martë me ambasadoren e Francës në Tiranë, “Marrëveshjen e Zbatimit për Forcimin e Bashkëpunimit Policor në Fushën Balistike”. Në këtë bazë të dhënash janë regjistruar armët dhe municionet e sekuestruara nga ana juridike. Shfrytëzimi i informacionit balistik i bazuar në elementët teknikë të armëve dhe municioneve të sekuestruar, mundëson identifikimin e rrjeteve të gjithë trafikut të armëve. Marrëveshja është hartuar në kuadër të Projektit EVOFINDER për Sistemin e Identifikimit Balistik dhe ky projekt ka nisur gjatë Procesit të Berlinit.
Franca dhe Gjermania e kanë zbatuar dhe po zbatojnë këtë projekt EVOFINDER për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor. Sistemi është dhuruar në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor përfshirë dhe Shqipërinë. EVOFINDER është sistemi për identifikimin balistik dhe aktualisht funksionon ne Institutin e Policisë Shkencore.
Kjo marrëveshje do të jetë një instrument më tepër në luftën kundër krimit të organizuar, përdorimit të armëve të vogla e të lehta si dhe identifikimit të autorëve të mundshëm pavarësisht vendit ku kryejnë veprën penale. Marrëveshja parashikon që shërbimet kompetente balistike të të dy vendeve, të shqyrtojnë mënyrat e vendosjes në rrjet të skedarëve të tyre kombëtar të identifikimit balistik, njëherësh duke zbatuar procedura që garantojnë besueshmërinë dhe cilësinë e të dhënave të shkëmbyera.
