Statusi i veçantë “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës” i është dhënë 15 fëmijëve, bij të heronjve që sakrifikuan jetën në krye të detyrës apo për të shpëtuar jetë të tjera. Fëmijët dhe familjarët e majorit Klodian Tanushi dhe mjekut Leonard Kamberi u pritën sot nga Edi Rama në zyrën e kryeministrit nga Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
Statusi “Fëmijë në Përkujdesje të Republikës”, si shprehje e zotimit tonë për t’iu bërë krah fëmijëve të tyre, përfshin pagesën deri në 150% të pagës së prindit dhe paketën e plotë të mbështetjes nga shteti, derisa të jenë të zotët e vetes.
“Ne na vjen mirë që e kemi krijuar mundësinë që t’i japim mbështetje të plotë fëmijëve që faktikisht duhet të kenë 150% të pagës deri kur të dalin në jetë. Asgjë nuk e kthen prindin, por në të tilla raste, këta janë fëmijë të Republikës sepse baballarët e tyre ishin shërbëtorë të denjë të Republikës dhe heronj. Ju uroj që të jenë të denjë për babin dhe mamin natyrisht se motra është e vogël akoma dhe ne do të jemi gjatë të gjithë kohës me ju. Edhe kur të mos jemi ne, këtë ligj nuk e ndryshon njeri se nuk ka arsye”, tha Rama.
Major Klodian Tanushi dhe nentetar Zarife Hasanaj pjesë e kontingjentit shqiptar në kuadër të misionit të NATO “EnhancedForwardPresence” në Letoni, u ndanë nga jeta në maj të vitit 2019 në një mision për asgjësimin e municioneve eksplozive në Letoni.
Mjeku gjinekolog Leonard Kamberi humbi jetën në moshën 47-vjeçare pasi ishte infektuar me Covid-19. Ai ishte i shtruar për rreth dy javë në spital, por gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua, për pasojë humbi jetën më 8 dhjetor 2020.
