Futbollistë të njohur shqiptarë po e shfrytëzojnë pushimin veror nëpër klube për t’i dhënë fund beqarisë. Tre futbollistë të famshëm të Kombëtares Shqiptare porsa u martuan. Bëhet fjalë për Ermir Lenjanin nga Kosova, Elseid Hysajn nga Shqipëria dhe Naser Aliji nga Maqedonia.
Të tre ata brenda harkut kohorë prej 30 ditëve nga mesi i qershorit deri te mesi i korrikut zgjodhën partneret e jetës.
I pari ishte Hysaj, i cili i kishte ftuar rreth 400 mysafirë në dasmën e tij tradicionale shqiptare, ku flamuri kuq e zi nuk ka munguar.
Po me flamurin kuqezi në dorë ka hyrë në lokalin ku po zhvillohej dasma e tij edhe Ermir Lenjani të shtunën, bashkë me nusen e tij.
Hare e madhe, këngë e valle shqiptare në ditën e shënuar të Lenjanit, i cili ka “tërhequr prej hunde” shokun e tij të Kombëtares, Naser Aliji.
Ky i fundit është martuar të dielën në mbrëmje, duke i dhënë fund beqarisë. Mbrojtësi kumanovar ka shkuar në altar me të dashurën e tij nga Shkupi.