Nebi Hyskaj ishte larguar nga radhët e policisë 10 vite më parë, edhe pse është një efektiv policie që ka derdhur gjak në krye të detyrës. Ai është vlerësuar me Medaljen e Artë të Shqiponjës për trimërinë e treguar në ngjarjen e rëndë të Visokës, ngjarje e hidur e vitit të mbrapshtë ’97.
Përmes një postimi në Twitter, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj thotë se Nebiu është rikthyer në detyrë pas 10 vitesh largimi.
MASAKRA E VISOKES
Në 18 Dhjetor të vitit 1997, në Mallakastër mbahet mend një prej masakrave më të rënda ndaj policisë. Tre efektivë do të vriteshin dhe 1 tjetër do të plagosej rëndë. I plagosuri ishte pikërisht Nebiu. Hyskaj eshte i mbijetuari i vetëm në masakrën ku u vranë kolegët e tij Arshi Bregasi, Veledin Pashaj dhe Bujar Hamiti. Fuoristrada e tyre, u sulmua me breshëri të egër nga 3 persona të armatosur me kallashnikovë.
Vetë polici ka rrëfyer në janar në emisionin “Top Story” tmerrin e asaj nate, ku pa të vrarë kolegët e tij. “Na thonë që kemi informacion që kanë dalë në Visokë ca person, po grabisin mjete, janë në filan vend, është një lokal aty, është një urë aty, 200-300 metër nga këtu. Nisemi ne, kishim plan të kalonim që këtej të shikonim se çfarë bëhej andej”, -tha Nebi Hyskaj, ish – punonjës policie.
“I vetmi informacion ishte ky që u dha nga oficeri i krimeve që një benz me targa me baltë dhe kavo, nuk verifikuam dot se prita ishte bërë më para, nuk verifikuam se kujt ishte benzi”, tha Ylli Ymeraj, ish shef komisariati, Mallakastër.
Mungesa e informacionit të saktë do të rezultonte fatale duke i kapur policët në befasi. Rruga pritet në mes nga tre persona të armatosur që dalin para mjetit të grupit të gatshëm.
“Unë me një kolegun tim, dalim nga makina, i themi jemi policia. Ata ndenjën pak dhe filluan të qëllonin me automatik, hapën zjarr.Ndjej goditje që mu thye këmba, mora goditje këtej, edhe rashë në tokë, Rashë në tokë e nuk pashë gjë për këta që ishin në makinë”, -tha Nebi Hyskaj, ish – punonjës policie.
Shoferi Arshi Bregasi dhe Veledin Pashaj ndërrojnë jetë në vend ndërkohë, Bujar Hamiti dhe Nebi Hyskaj u plagosën. Sot, i mbijetuari i vetëm, Nebiu, kujton se iu përgjigjën të shtënave të bandës me zjarr duke plagosur madje njërin prej tyre.
“Njëri nga ata ishte plagosur në rrugë e thotë mos qëlloni se jemi vëllezërit tuaj. Kur u futa te guri atje, dëgjoj një që thotë keni një atje, ik vrije. Unë skisha asnjë lloj arme, automatiku ishte bllokuar. -tha Nebi Hyskaj, ish – punonjës policie.
Të parët që mbërrijnë në vendngjarje janë shefi i komisariatit me 3 policët që e shoqëronin, pasi ata ishin rreth 150 metër distancë me mjetin e grupit të gatshëm.
“Ka pasur 4 breshëri në të njëjtën kohë, një polic na thotë shef na vranë.Atëherë ne që ishim 150 metër prapa, u hapëm në formacion luftimi, 4 veta që ishim. Dy ishin të vdekur dy të plagosur, Kontrolluam territorin se mos na sulmonin dhe ne nuk konstatuam gjë”, tha Ylli Ymeraj, ish shef komisariati, Mallakastër.
“Na marin ne, më marin mua me Bujarin, na çojnë në Ballsh, nga atje në Fier, në Tiranë. Bujarin e marrin për ta çuar në Greqi. Në Kakavijë, vdes në helikopter”, -tha Nebi Hyskaj, ish – punonjës policie.
Sipas dëshmive të sigurara nga Top Story, autorët e krimit ishin 3 persona, të cilët qëndronin krah për krah me njëri tjetrin, duke hapur zjarr pa pushim. Ndërkohë, një person i katërt qëndronte në distancë si sinjalizues për grupin kriminel (marre me shkeputje nga Top Story)
I mbijetuari i vetëm, Nebiu, sot ndjehet i braktisur, i harruar tërësisht nga shteti, thuhej në emision, e një muaj pas transmetimit, Lleshaj bëri të ditur se rikthehet në detyrë.
“Unë kam kaluar në stres, jam shumë i ndjeshëm dhe në trup kam një 3 lloj sëmundjesh nga stresi më janë krijuar diabeti, tension, teroide, dhe e ndjeje veten shumë të ofenduar, më mirë të kisha vdekur bashkë me këta”, -tha Nebi Hyskaj.
